Ibsen Elezi ëshhtë kandidati i katërt në garën për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.
Elezi depozitoi sot në PD formularin e kandidimit dhe në një fjalë të shkurtër para mediave tha se vetëm dorëheqja e Lulzim Bashës mund të garantojë zgjedhje të barabarta në PD.
“Këto janë elementë shumë të rëndësishëm që vlejnë për të gjithë strukturën e PD.
Unë dua t’ju kujtoj të gjithë drejtuesve të strukturave që të administrohet një proces zgjedhor ku vota të konsiderohet e paprekshme.
Në qoftë se edhe një rast i vetëm manipulimi ndodh do të ulë imazhin e Partisë Demokratike.
Çdo kandidat duhet të ketë kontroll mbi procesin zgjedhor, ky është parim themelor”, tha ai.
Sot është afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave për kryetarin e Partisë Demokratike.
Zgjedhjet do të zhvillohen më 13 qershor, më shumë se një muaj para afatit të parashikuar që ishte 22 korriku.
Deri më tani në garë janë kryetari aktual Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Ibsen Elezi.
Të 4 emrat kanë dorëzuar në PD formularin e kandidatit.


