Mbështetësit e PKK-së terroriste përdorën materie kimike helmuese për të sulmuar një fabrikë në veriperëndim të Zvicrës në pronësi të një biznesmeni zvicerano-turk, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi arritën në fabrikën “Gurbet” në qytetin Dulliken, e cila merret me specialitete turke të mishit, mbështetësit e PKK-së “mbuluan kamerat e sigurisë me ngjyrë. Pastaj ata shkruan propagandë terroriste dhe fyerje të drejtuara ndaj meje rreth fabrikës”, tha për AA pronari Suat Şahin, anëtar i Komitetit Rajonal për Evropën pranë Këshillit Botëror të Biznesit Turk (DTIİK).
Şahin tha se mbështetësit e PKK-së thyen gjithashtu xhamat e automjeteve të parkuara dhe xhamat e fabrikës, duke shtuar se: “Ata më pas hodhën lëndë kimike helmuese brenda. Ende nuk mund të hyjmë brenda”.
Ai tha se sulmi u zbulua të hënën herët ndërsa zyrtarët e fabrikës menjëherë thirrën policinë.
Duke thënë se policia rrethoi fabrikën dhe thirri zjarrfikësin në lidhje me aromat toksike në fabrikë, Şahin shtoi se një ekip prej 25 personash kaloi orë të tëra duke shqyrtuar vendin.
Şahin tha se 9 nga punonjësit e tij u sëmurën për shkak të substancave kimike. Sipas tij, mbështetësit e PKK-së e kanë sulmuar atë edhe në të kaluarën, por askush nuk është kapur.
“Ne po përpiqemi të fitojmë bukën tonë këtu. Ne paguajmë taksa. Qeveria, shteti dhe policia zvicerane janë përgjegjëse për sigurinë sonë”, tha Şahin.
Ai shtoi se biznesmenë të tjerë turq në Zvicër kanë vuajtur nga sulme të ngjashme dhe kjo do të ndodhë përsëri nëse zyrtarët nuk arrijnë të bëjnë diçka.
“Autorët janë të njohur. Pse kanë qëndruar të paprekur për vite me radhë? Unë nuk mund ta kuptoj këtë”, tha Şahin.
PKK është klasifikuar si një grup terrorist “etno-nacionalist” dhe “separatist” nga Agjencia evropiane e zbatimit të ligjit EUROPOL, por ka qenë prej kohësh aktive në Zvicër dhe vende të tjera evropiane, duke përdorur këto territore për rekrutim, mbledhje të fondeve dhe aktivitete propagandistike.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.


