Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës (PK) dje kanë arrestuar dy zyrtarë të policisë në veri të Mitrovicës me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Manipulim me prova”.
Në një njoftim nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) bëhet e ditur se me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë realizuar urdhëresën për bastisje në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se dy zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Manipulim me prova” të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut si dhe është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, njofton IPK.
Hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorit të shtetit kanë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore./Rtv islam/


