Zëvendës ministrja e Brendshme Romina Kuko e shoqëruar nga prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole, së bashku me kryetarin e bashkisë Korçë Sotiraq Filo, këtë të martë zhvilluan një inspektim në zyrat ku ofrohet shërbimi online dhe fizik për qytetarët, në bashkinë e Korçës.
Nga 6 sportele që kanë shërbyer për gjendjen civile sot në këtë bashki është aktiv vetëm një sportel i cili ndihmon qytetarët për ato akte që mund të merren vetëm fizikisht.
Ashtu sikurse janë informuar të gjithë qytetarët prej datës 1 maj, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të reformës për qeverisjen dixhitale u mbyllën sportelet fizike ku shërbimet tashmë do të ofrohen vetëm online, nëpërmjet platformës e-Albania.






