Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka nisur takimin me Mesila Dodën, kryetaren e grupit parlamentar “Drejtësi dhe Integrim” për të diskutuar rreth profilit të presidentit të ardhshëm të vendit.
Është parashikuar që më pas Balla do të takohet edhe me kreun e grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediun.
Negociatori nga radhët e demokratëve, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj refuzoi ftesën e Ballës dhe konfirmoi se nuk do të ketë takim me të këtë të premte. Rreth orës 11.00-11.30 ai do të ketë prononcim për median tek hyrja e Kuvendit.
Negociatorët për zgjedhjen e presidentit nga radhët e socialistëve janë Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri.
Ende nuk ka një emër konkret nga ana e palëve, ndërsa pritet të diskutohet rreth profilit dhe kritereve që duhet të plotësojë kreu i ri i shtetit.
Nga ana e socialistëve, Berisha është shpallur i përjashtuar në negociatat për emrin e presidentit të ri.
Kryeministri Edi Rama dhe Balla thanë në mënyrë të prerë një ditë më parë se asnjë propozim nga Sali Berisha nuk do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.
Një ditë më parë, opozita nisi raundin e parë të negociatave me aleatët për zgjedhjen e presidentit të ri.
Dy negociatorët e mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi u takuan me shumicën e aleatëve, mes tyre kryerepublikanin Mediu i cili zbulon detaje të dialogut jo vetëm me Bocin e Bylykbashin por edhe për kontaktet me Enkelejd Alibeajn.
Mediu tha se ka pasur diskutime me PS dhe ato do të vijojnë duke theksuar se opozita është e gjitha për procesin dhe se pjesëmarrja e opozitës është e domosdoshme që të ketë një veprim të përbashkët.


