Sipas Instituti turk të Statistikave çmimet vjetore të konsumit nga 85.51 për qind në tetor, u ulën në 84.39 për qind në nëntor. Kjo është hera e parë që inflacioni vjetor në Turqi është ulur që nga maji i vitit 2021. Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe rënia e vlerës së lirës kanë nxitur inflacionin në këtë shtet.
Ekonomistët besojnë se në rritjen e inflacionit në Turqi kanë ndikuar edhe politikat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili beson se ulja e normës së interesit ndikon në ulje të çmimeve, ndonëse teoritë ekonomike flasin për qasje të kundërt. Bankat qendrore në shumë vende të botës, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë rritur së fundi normat e interesit me qëllim të luftimit të inflacionit.
Rritjet më të mëdha të çmimeve vjetore janë shënuar në sektorin e transportit, me 107 për qind, pasuar nga çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 102.55 për qind, sipas të dhënave zyrtare. Ekspertët besojnë se inflacioni është më i lartë sesa që paraqitet në statistikat zyrtare. Grupi i pavarur për Kërkime rreth Inflacionit ka thënë të hënën se norma e vërtetë e inflacionit në Turqi për nëntorin është 170.7 për qind./rel


