Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Tiranë, Roland Bejko në një takim me banorë të Shishtufinës, bëri të ditur se ka një plan konkret për eliminimin e trafikut në Tiranë.
Bejko tha se në program janë pika konkrete që do të sjellin eliminimin e trafikut, që lidhen me përfundimin e “Unazës së Madhe”.
Sipas tij, “në të gjitha lagjet e reja që do të ndërtohen në Tiranë do të jetë domosdoshmërisht prezenca e një parku, i cili do të përmirësoje cilësinë e ajrit dhe lidhjet me pjesët e tjera te qytetit do të jenë të garantuara nga rrugë të gjera me së paku 4 korsi, trotuare, rrugë për biçikleta dhe linja të shpeshta autobusësh”.
“Të gjithë autobusët urban do të kenë në pikat e ndalesës së tyre oraret e mbërritjes dhe të nisjes dhe vonesat relative në tabelat elektronike të lidhura me vendndodhjen e autobusëve. Në oraret me trafik më të rënduar do të shtohet numri i autobusëve. Në çdo pikë ndalimi të autobusëve, qytetarët do të kenë mundësinë të shohin hartat e udhëtimit të autobusëve dhe pikat e shkëmbimit me linjat e tjera”, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, Bejko tha se “do të ketë abone 3-mujore, 6-mujore dhe 1-vjeçare për mjetet publike për të gjithë qytetarët e Tiranës, të cilët nuk do te kenë detyrimin të mbajnë radhë të gjata në kioskat e shekullit të kaluar, por do të kenë mundësinë t’i blejnë këto abone online”.
“Ndërtimi i parkimeve shumëkatësh mbi dhe nën nivelin e tokës për 4 pikat hyrëse në Tiranë: Te mbikalimi i Kamzës, në hyrje të Kombinatit, pranë TEG-ut dhe në fillimin e Rrugës së Arbrit, me kosto ditore prej 200 lekë. Kuponi i marrë në këto parkime do të vlejë edhe si biletë ditore për qytetarët, që të lenë automjetet në këto pika dhe të vijojnë udhëtimin drejt qytetit me mjetet publike”, siguroi ai.


