Alibeaj nga Berati: Berisha, qëndrim të njëjtë si Enver Hoxha me SHBA-në

Mos i humb

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një takim me demokratë të Beratit, në mbështetje të kandidatëve për këshillin bashkiak.

Në fjalën e tij, Alibeaj u bëri thirrje demokratëve të votojnë Partinë Demokratike për anëtarë të këshillit bashkiak.

“Në momente të tilla më shumë do të duhet të ndihemi si një familje e madhe ku të flasim me njëri-tjetrin dhe të diskutojmë çështje shumë të rëndësishme që po kalon jo vetëm Partia Demokratike. Ndaj, ndihem mirë sot edhe në prezencën tuaj, edhe të këshilltarëve, të cilëve dua t’ju uroj sukses dhe mbarësi në këtë angazhim të madh politik, jo vetëm për Partinë Demokratike, po më shumë se kaq. Dua të falënderojë të deleguarin e Partisë Demokratike, kryetaren dhe kryesinë e Partisë Demokratike në përzgjedhjen e emrave e të profileve të Partisë Demokratike, kanë ditur dhe kanë arritur të gjejnë emra të cilët i bëjnë nder Beratit, i bëjnë nder historisë së Partisë Demokratike dhe japin garanci, i japin një garanci për të ardhmen, edhe për funksionimin, menaxhimin e interesave të qytetarëve të Beratit”, tha ai.

Duke folur për Partinë Demokratike dhe historinë e saj të lidhur me SHBA, Alibeaj tha se Sali Berisha ka të njëjtin qëndrim si Enver Hoxha me SHBA.

“Mbani mend kur Enver Hoxha shkroi veprën “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”.  Në atë kohë Sali Berisha ishte në moshën 38-vjeçare. 38 vjeç dhe kishte vite madje që shërbente si bashkëpunëtor i revistës “Shkenca dhe Jeta”. Revistë e cila botohej nga Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë të Punës së Shqipërisë. Do të thotë shumë. Misioni i revistës në atë kohë ishte të bënte propagandë për arritjet e punonjësve dhe rinisë në përvetësimin dhe zbatimin në prodhimin e shkencës. Pra, një bashkëpunëtor shkencor, mendoni se sa dashuri kishte ai sistem për shkencën në atë kohë. Në fakt ne duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është, ishte një bashkëpunëtorë në propagandën e regjimit. Kjo është e vërteta, këto janë faktet. Dhe siç thuhet e vërteta të bën të lirë, ne duhet ta shohim të vërtetën në sy për të kuptuar realitetin. Për më tepër dhe siç është marrë vesh kohët e fundit, nga foto që qarkullojnë publikisht tashmë e që nuk i përgënjeshtron as ai vet. Ka qenë një bashkëpunëtor që e ftonin të merrte pjesë madje në ditëlindjet e familjes së ngushtë të Enver Hoxhës. Unë nuk kam fakte që librat ia ka shkruar Sali Berisha Enver Hoxhës. Enver Hoxha vetëm shkruante emrin në librat që ai botonte, por ama duke parë se çfarë flet dhe çfarë bën tani, kundër aleatëve tanë perëndimorë, kundër vlerave euro-atlantike, për mua nuk do të ishte e pamendueshme që “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” ta kishte shkruar edhe Sali Berisha në atë kohë. E pra, qëndrimi që mban sot Sali Berisha ndaj Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve, është i njëjti si qëndrimi që mbante Enver Hoxha anglo-amerikanëve. Në fakt, ajo se çfarë realisht Sali Berisha kërkonte të bënte në Shqipëri, ishte të krijonte një lëvizje antiamerikane. Për herë të parë në tre dekada demokraci dhe për herë të dytë pas Enver Hoxhës, në historinë e shtetit dhe të kombit shqiptar, fillonte kjo lëvizje”, tha Alibeaj.

“Që prej shpalljes non grata nga SHBA-të, inkurajues i korrupsionit madhor dhe minues i demokracisë, Sali Berisha ka provuar të godasë Amerikën herë me shpatë të madhe, herë me biçak, herë me qitje të largët e herë me baltë”, tha ai.

Po ashtu, Alibeaj foli për aleancën e Sali Berishës me Ilir Metën, ku akuzoi Berishën se futi demokratët në rrugë qorre duke i bashkuar me Metën.

“Si mund t’i marrësh demokratët ata që kanë dhënë për të e kanë ngritur në piedestal, e kanë bërë 2 herë president, 2 herë kryeministër. I dhanë mundësinë me shumë vështirësi që ta qeveristë këtë vend dhe ta qeveristë mirë, i merr sot për hallin e vet personal dhe i fut në një rruge qorre, ku në fund të së cilës është vetëm fytyra e Ilir Metës. Kjo është e vërteta. E pra, kushdo e kupton sot që aleanca që ka bërë Sali Berisha me Ilir Metën, nuk synon aspak pushtetin. Nuk ka si ta synojë, në 2013 shqiptarët me 1 milion vota i rrëzuan nga qeverisja, mos të kujtoj këtu historinë e mëparshme të 2011, 2009 atëherë kur u krijua aleanca e panatyrshme që kemi vuajtur të gjithë. Ishte momenti kur qeverisja e demokratëve filloi të merrte tatëpjetën. Ishte aleancë e panatyrshme dhe si ndodhi pastaj dhe në 2013 në kokërr të lotit demokratët, se sapo erdhi Edi Rama në qeverisje bashkë me Metën. Kë vuri në fokus? Kë larguan nga puna në mënyrën me të vrazhdë dhe antiligjore, demokratët. Nuk harrohet kjo”, tha Alibeaj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit