Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se revolta e Spaçit shënon kulmin e guximit njerëzor, aktin më të ndritur të qëndresës së njeriut për dinjitet dhe liri.
Berisha ishte i ftuar në panelin e konferencës “Revolta e Spaçit, 50 vjet- kujtesë kundër harresës”, organizuar nga Sekretariati i të Përndjekurve Politikë të PD-së.
“Spaçi ishte një vend nga më të izoluarit. Këtij izolimi i shtoheshin të gjitha masat dhe rrethimet e sigurisë së kampit të përqendrimit. Të burgosurit në këtë burg, të vetëdijshëm se nuk kanë asnjë shans për të fituar kauzën e tyre, vendosën të firmosin ekzekutimin me aktin që ata bënë, me revoltën që ata organizuan. Në këtë kontekst, po të kemi parasysh se ata janë në krye të heroizmit të njeriut, ata ishin burgosur për kundërshtim ndaj regjimit, por midis asaj që të vazhdonin të kalonin ditët e dënimit dhe të prisnin që një ditë të mund të dilnin jashtë burgut dhe kampit, ata zgjodhën sfidën me sakrificë sublime”, tha ai.
Sipas tij, “kjo ishte sfida absolute që ata i bënin regjimit mizor dhe mesazhi më i fuqishëm që ata i japin njeriut të qytetëruar”.
Berisha theksoi se “në momente kritike për PD-në, të përndjekurit politikë kanë luajtur rol vendimtar në mbijetesën e kësaj partie”.
Në këtë kontekst, ai siguroi se PD mbetet pafundësisht mirënjohëse për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
“Sikundër, si parti e vlerave konservatore, e lirisë dhe dinjitetit të njeriut, e lirisë kombëtare, PD konsideron lumenjtë e sakrificave të të burgosurve dhe përndjekurve politike, si themelet e saj. Si trashëgiminë e saj më të ndritur. PD, me gjithë përpjekjet që ajo ka bërë, në programin e saj, do ridimensionojë fuqishëm të gjithë qëndrimet ndaj kësaj sakrifice kombëtare që u bë nga qindra-mijëra shqiptarë, të cilët ranë për t’u bërë të pavdekshëm. Ose kaluan rininë apo jetën e tyre në burgjet apo kampet e përqendrimit të diktaturës më të egër që Europa kishte njohur ndonjëherë”, tha ai.
Sipas tij, forma më e keqe e diktaturave është diktaturave e bandave, që ka një kryebandit.
“Janë të freskëta ngjarjet e ditës së diel, kur banditë të qeverisë kërcënuan me jetë, u treguan tytën e revoles njerëzve të lirë, për fajin e vetëm se do votonin të lirë. Se po organizonin një proces, që është detyrim kushtetues. Më keq se në një diktaturë ideologjike, dita e diel dëshmoi një shkrirje të plotë të Policisë së Shtetit me bandat”, tha Berisha.
Berisha theksoi se rikthimi i të drejtës së votës së lirë të qytetarëve shqiptarë është misioni i të gjitha misioneve sot, për të gjithë ata që besojnë se vota e lirë është origjina e të drejtës dhe ligjit, është e tregut të lirë, është themeli i lirive dhe dinjitetit.


