Kryetari i Grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot që për grupin parlamentar të PD-së, kryeçështja e këtij sesioni parlamentar, duhet të jetë farsa elektorale e 14 majit.
Berisha kërkoi që “me urgjencë të përgatitet kërkesa për komision hetimor parlamentar për këtë farsë, më e turpshmja elektorale në historinë e Evropës”.
“Në këto zgjedhje, si në asnjë palë zgjedhje të tjera në 32 vite, Kodi Zgjedhor, Kushtetuta e të drejtës zgjedhore, u shpall në krye të radhës kinezëri. Në njërën anë kemi 670 mijë zarfe me 50 mijë lekë secili në xhepin e 670 mijë votuesve. Rritja e rrogave për 310 mijë punonjës, të gjithë këta së bashku të marrë, bëjnë 980 mijë zgjedhës të trajtuar në këtë mënyrë. Edi Rama për herë të parë kaloi në shpërndarje publike parash në fushatë”, tha ai.
Berisha theksoi se, “ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën ligjore të trajtimit.
“Çdo padi e jona është hedhur poshtë me absurditet, pa asnjë bazë ligjore nga SKAP-i i partisë. Po marrim vetëm aktin e blerjes së votës me shpërblim, me ryshfet të 670 mijë zarfeve. SKAP-i thotë se kjo lejohet në zgjedhjet lokale pasi kështu ka thënë KQZ-ja.
A ka dhunim më flagrant të ligjit se ky?”, shtoi ai.
Berisha u shpreh se, “Kushtetuta, kurrë në asnjë vend, nuk mund të ndajë blerjen e votës në zgjedhje të përgjithshme dhe në zgjedhje lokale, përveçse në Shqipëri”.
Po ashtu, ai theksoi se, emergjencë e të gjitha emergjencave është votimi i minimumit jetik.
“Ne, duhet të votojmë minimumin jetik të përllogaritur nga Avokati i Popullit. Avokati i Popullit ka përdorur ekspertët më të mirë dhe ka gjetur se minimumi jetik aktualisht në Shqipëri është 200 euro. Ndaj dhe ne do të kërkojmë në mënyrë të prerë, hapi i parë drejt rritjes së rrogave duhet të fillojë me vendosjen e minimumit jetik.
Ndaj ne do bëjmë në parlament një betejë të fuqishme për të mos filluar nga rritja e rrogave për deputetët dhe ministrat, por duke filluar me minimumin jetik. Mendoj të përgatisim amendamentin dhe nesër kjo do jetë tema jonë kryesore në parlament”


