Më 21 Mars të vitit të kaluar Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike.
Pikërisht për këtë vendim, ai u shpreh sot në takimin e tij me të rinjtë në Tiranë.
Basha thotë se hoqi dorë nga ai post në Partinë Demokratike, në mënyrë që demokratët të bashkoheshin.
“Do futemi në një fushë të cilën shpresoja të mbetej për një moment tjetër. E para e punës, tërheqja që kam bërë para një viti është bërë për një interes të madh, për të mos ushqyer përçarjen e demokratëve, për t’i dhënë një shans bashkimit të demokratëve. Për fat të keq siç jemi dëshmitarë kjo nuk ka ndodhur, por nuk kam hequr dorë kurrë për mos e lënë kontributin e atyre që më kanë qëndruar në krah për betejat për demokracinë, përfshirë edhe zgjedhjet e 2021-it.”
Ai thekson se tërheqja e tij nga syri i publikut i ka shërbyer për t’i njohur më mirë problemet e qytetarëve.
“Dhe ndonëse për të mos influencuar rrjedhën e ngjarjeve, kam preferuar që të qëndroj larg syrit të publikut, kjo nuk do të thotë që jam stakuar nga interesi politik. Kjo tërheqje më ka shërbyer për të parë dhe te vetja ime dhe për të parë se sa kohë dhe energji i kam dedikuar dhe unë luftës me njëri-tjetrin dhe sa kohë i dedikojmë halleve dhe problemeve të njerëzve. Kam dalë në një konkluzion të thjeshtë: raporti duhet përmbysur. Duhet gjithë vëmendjen tonë ta çojmë te hallet e njerëzve.”
Ish-kreu i PD nuk i kurseu ironitë për fushatën e mazhorancës para 14 Majit.
“Gjithçka është e qëllimshme për t’i ikur përgjegjësisë. Çfarë mund të diskutosh me dikë që këndon tallava? Pyetja që shtrohet pas këmbanës së alarmit në 14 Maj, do vazhdojmë të shohim teatrin politik, apo do ti kthejmë sytë në 70% të njerëzve që e ndjejnë veten të përjashtuar. Unë dua të më besoni që jam serioz të këtë platformë.“


