Komisioni për Çështjet Evropiane miraton dy projektligje

Mos i humb

Në drejtimin e Kryetares, Jorida Tabaku, u mblodh ditën e sotme Komisioni për Çështjet Evropiane.

Komisioni shqyrtoi Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9774, datë 12.7.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis””, të ndryshuar dhe Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Për të prezantuar Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9774, datë 12.7.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis””, të ndryshuar, ishte e ftuar zëvendësministrja e Turizmit, Vilma Bello.

Zëvendësministrja e Turizmit u shpreh se, zhurmat mbeten një problem serioz në zonat urbane dhe ato turistike duke u kthyer në shqetësim për popullatën.

“Ligji i vitit 2007 nuk i përgjigjet një realiteti për një sektor dinamik si turizmi. Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i parashikimeve të ligjit të vitit 2007 përmes ndarjes së kompetencave ndërmjet institucioneve qendrore e vendore për monitorimin e nivelit të zhurmës në zonat publike apo zona të gjeneruara nga veprimtari ekonomike apo sociale, si dhe dhënien e miratimeve për zhvillimin e aktiviteteve që lëshojnë zhurmë në mjedis duke siguruar që zhurma e lejuar të jetë brenda vlerave kufi me objektiv madhor për të bërë Shqipërinë një vend që plotëson standardet evropiane për administrimin e zhurmës”, u shpreh Bello.

Relatori i çështjes, Etjen Xhafaj, u shpreh se, “sa i përket nevojës së këtij projektligji, nevoja është e madhe pasi ka një përcaktim më të qartë të atyre që janë si nivelet, metodologjitë dhe entitetet që duhet të implementojnë monitorimin e zhurmës dhe në raste të tejkalimit të niveleve të implementimit të masave ndëshkuese”.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, Komisioni për Çështjet Evropiane miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e Komisionit për Çështjet Evropiane vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte Zëvendësministrja e Arsimit, Nina Guga, e cila nënvizoi përpara anëtarëve të komisionit se nevoja për ndryshimet ligjore erdhi për të zgjidhur problematikat e hasura nga institucionet arsimore.

“Qëllimi tjetër është përafrimi i legjislacionit me Bashkimin Europian. Risjellim disa ndryshime që do përmirësojnë strukturën arsimore. Së pari kemi vendosur të ndryshojmë ligjin që ka të bëjë me kthimin e shkollave speciale në qendra burimore, iniciativë që filloi më ngritjen e grupeve të punës, duke marrë modele nga vende të zhvilluara. Një tjetër ndryshim lidhet me konceptin e shkollës së bashkuar duke ditur se në zonat e largëta shkollat kanë pak nxënës, kjo iniciativë, shkolla e bashkuar përqendron nxënësit që asnjë prej tyre mos të penalizohet nga e drejta për arsimim”, u shpreh Guga.

Relatorja e projektligjit, Pranvera Resulaj, nënvizoi se, nga kërkimet për përafrimin e legjislacionit nuk rezulton të ketë ndonjë akt ligjor me të cilin mund të përafrohet projektligji.

“Edhe pse projektligji është në linjë me parimet e rekomandimit të Këshillit 2011/c, këto rekomandime nuk kanë fuqi ligjore detyruese, sugjerojmë që shënimi në fund të faqes që lidhet me titullin e projektligjit të mos shënohet. Për pjesën tjetër rekomandoj miratimin e këtij projektligji”, u shpreh Resulaj.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, Komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit