Rama: Kemi një bazë fantastike të leximit të territorit

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se falë shërbimit satelitor kemi një bazë fantastike të leximit të territorit sipas nevojave të dikastereve, gjë që e bën të pamundur korrupsionin në shumë fusha.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në eventin për prezantimin e produkteve të para të shërbimit satelitor, ku vlerësoi punën mbresëlënëse që është bërë në një një kohë të shkurtër në këtë drejtim.

“Ju kujtohet se sa shumë nënqeshje dhe përqeshje patëm kur lajmëruam futjen në këtë sistem. Në janar të këtij viti u krye edhe lëshimi në hapësirë i 2 satelitëve Albania 1 dhe 2. Deri në 21 qershor janë mbledhur të dhëna nga 16 324 km2 të Republikës së Shqipërisë. Për shkak se moti e vështirësoi shumë punën e atyre që janë përfshirë në këtë proces, kompania ofruese e shërbimit shtoi edhe 8 satelitë të tjerë pa asnjë pagesë ekstra për të na furnizuar me më shumë imazhe në ato periudha kohe. Sot mund të themi se kemi një bazë fantastike të leximit të territorit sipas nevojave të dikastereve”, tha ai.

Rama solli në vëmendje hartën e përmbytjeve, që sipas tij, “e bën të pamundur abuzimin me metrat katrorë të përmbytura.

“Harta satelitore e bën të pamundur që një përmbytje prej 3 km2 të kthehet në një përmbytje prej 15 km2 duke shtuar aty viktima të ujit, e prona të dëmtuara për të rritur faturën në kurriz të shtetit, duke rritur dhe normën e korrupsionit. Kjo sepse janë imazhet dhe identifikimi i dëmeve që deri dje bëhej me grupe në këmbë në terren mund ta bëjmë tani vetëm me një imazh”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama nënvizoi vlerën e këtyre imazheve për disiplinën në ndërtim, e cila sipas tij  është e jashtëzakonshme.

“Tanimë gjithçka mund të lexohet në kohë reale lidhur me shfrytëzimin e territorit për të ndërtuar, për lejet e ndërtimit dhe ndërtimet pa leje”, shtoi ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit