Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti sot në takim Drejtorin për Europën të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy, me të cilin ndau vlerësime për demokracinë në Shqipëri dhe për zhvillimet aktuale në rajonin tonë.
Meta u shpreh pas takimit se, “bashkëpunimi mes Partisë së Lirisë dhe IRI ka qenë veçanërisht i frytshëm për rritjen e kapaciteteve të rinisë, vajzave e zonjave të angazhuara në forumet tona. Do të vazhdojmë këtë bashkëpunim të shkëlqyer edhe më tej, duke mundësuar asistencë amerikane për të zgjedhurit e Partisë së Lirisë në këshillat bashkiakë gjatë këtij mandati që sapo kanë filluar”.
“Rikthimi i llogaridhënies në pushtetin vendor është prioritet kyç për Partinë e Lirisë ndaj dhe rritja e mbështetjes për këshilltarët tanë të zgjedhur është shumë e mirëpritur”, theksoi Meta.
Ai e falënderoi Drejtorin McCarthy për aktivitetin e IRI në Shqipëri në mbështetje të partive politike, duke shprehur kërkesën për programe të veçanta në fushën e luftës ndaj korrupsionit dhe rikthimit të llogaridhënies, si dy faktorë kyç ndikues në shpopullimin masiv të vendit.


