Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi përshëndeti sot aksionin e SPAK në Shkodër, Tiranë e Kukës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi nxiti SPAK të verifikojë të gjitha favoret qeveritare që janë bërë ndaj shtetasit Pëllumb Gjoka.
“Përshëndes aksionin e SPAK për arrestimin e një prej lidhjeve të konsoliduara me krimin e organizuar të Edi Ramës në Shkodër Pëllumb Gjokës. Grupi Parlamentar i PD-së nxit SPAK të verifikojë të gjitha favoret qeveritare që Edi Rama, në bashkëpunim me Tom Doshin i ka siguruar këtij anëtari të krimit të organizuar, duke nisur nga licensat e deri tek statusi i investitorit strategjik. ‘Askush mbi ligjin’ është më afër se kurrë”, shprehet Bardhi.
Rreth 15 urdhërarreste dhe 6 arrestime është bilanci të paktën deri tani i një megaoperacioni të nisur nga SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Operacioni i shtrirë në Tiranë, Kukës e Shkodër vuri në pranga zyrtarë të lartë e eksponentë të krimit.


