Partia Demokratike publikoi të premten listën e vendvotimeve ku 25 000 anëtarë të Partisë Demokratike me të drejtë vote, do të shprehin vullnetin e tyre për kryetarin e ri të kësaj force politike.
Përmes një njoftimi për mediat, PD njofton se qendrat e votimit do të jenë të hapura këtë të shtunë prej orës 08:00 deri në orën 19:00
“PD publikon qendrat e votimit për zgjedhjet e nesërme. Të nderuar anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë! Nesër më datë 29.07.2023, zhvillohet procesi i zgjedhjeve për Kryetar të PDSH! Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të marrin pjesë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për ringritjen e PD. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00.Ju vendosni të ardhmen e PD dhe të ardhmen e Shqipërisë.”, bëhet me dije në njoftimin e publikuar nga PD, ku bashkangjitur është dhe lista e qendrave të votimit.
Lidhur me procesin e votimit, në një deklaratë për mediat, Gazment Koduzi, anëtarë i Komisionit Zgjedhor të PD, ka pasqyruar rregullat e votimit.
“Nesër, në datën 29 Korrik 2023, pas një muaji takime me demokratët të kandidatëve, do të kryhet votimi për Kryetarin e Partisë Demokratike. Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Informacionin për qendrat e votimit mund ta gjeni pranë Degëve përkatëse ose online në faqen zyrtare të Partisë Demokratike. Është i ftuar të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e Partisë, çdo anëtar i Partisë Demokratike”, tha Koduzi.
“Votuesi paraqitet përpara Komisionit me mjet identifikimi (kartë identiteti, pasaportë, apo patentë) dhe ia dorëzon atë për verifikim anëtarit të Komisionit që është caktuar përgjegjës për administrimin e Listës së Votuesve. Nuk lejohet fotografimi apo çdo formë tjetër e dokumentimit të mënyrës së votimit. Votimi mbyllet në orarin e përcaktuar, duke u siguruar që në ambientet e Qendrës së Votimit nuk ka anëtarë që pret për të votuar. Nëse ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej orarit të caktuar për mbylljen e qendrës së votimit, Kryetari i Komisionit mbledh dokumentet e tyre të identifikimit dhe sigurohet që kushdo që është në radhë për të votuar të ketë mundësi për të votuar.”, tha ai
Sipas Koduzit, procesi i Numërimit të votave fillon jo më vonë se 30 minuta nga mbyllja e procesit të votimit.
“Numërimi bëhet në prani të të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe vëzhguesve te kandidateve dhe është i hapur për mediat dhe për anëtarësinë e interesuar. Në përfundim të procesit të Numërimit, Komisioni i Votimit dhe Numërimit, harton procesverbalin e procesit të votimit dhe numërimit. Edhe njëherë ju bëjmë thirrje demokratëve të marrin pjesë në votim, dhe sigurojmë që asnjë anëtar i Partisë Demokratike nuk do të ngelë pa shprehur vullnetin e tij.”, tha Koduzi.
“Nesër është një ditë e rëndësishme për demokratët. Partia Demokratike nis ringritjen dhe riorganizimin e saj, për tu kthyer në shpresën dhe alternativën që presin dhe meritojnë shqiptarët.”, përfundoi Koduzi.
Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve më 29 korrik, në PD ka patur dhe një përplasje.
Të enjten në mbrëmje, Këshilli Kombëtar i PD i thirrur nga Gazment Bardhi anuloi procesin zgjedhor, ndërsa njoftojë dhe ngrirjen e funksioneve të kryesisë së selisë blu. Por një gjë e tillë nuk u njoh nga kryesia dhe Indrit Sefa, Sekretar për Çështjet ligjore në PD njoftoi se proçesi zgjedhor do të vazhdojë normalisht.
Përballë në zgjedhjet e 29 korrikut për pozicionin e kryetarit të PD janë Lulzim Basha dhe Gjergji Hani.




