Sekretari i Përgjithshëm i grupit të Rithemelimit të PD-së, Flamur Noka reagoi sot përmes një deklarate për medie, pasi sipas tij, “janë eksportuar të gjitha të dhënat e sistemit TIMS”.
“Më datën 2 gusht 2023, Ervin Muça, Drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, i sapoemëruari me urdhër direkt dhe jashtë çdo kriteri, dhe në kundërshtim flagrant me ligjin, ka urdhëruar verbalisht gjithë punonjësit e databazës dhe serverave të kryejnë eksportim të menjëhershëm të të gjitha bazës së të dhënave të TIMS në një harddisk të jashtëm, që mbahej personalisht nga ky person”, u shpreh Noka.
Noka theksoi se “këto të dhëna sekrete përfshijnë të gjitha hyrjet dhe daljet e personave nga kufijtë e vendit, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista terroristësh, gjobat e makinave, informacion territorial sekret etj”.
Noka shprehu shqetësimin se “këto të dhëna do të përdoren për tregti të dhënash me bandat e krimit, për pazare dhe shantazhe dhe prishje provash thelbësore të veprimeve kriminale të pushtetarëve të sotëm të regjistruara në sistemin TIMS”.
“Partia Demokratike denoncon me forcën më të madhe këtë operacion shtetëror kriminal të Edi Ramës dhe Taulant Ballës, i cili rrezikon shumë sigurinë e vendit, të rajonit dhe të Europës. Ajo garanton shqiptarët se, në kuadrin e luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, porositësit e këtij operacioni kriminal, zbatuesit dhe çdo njeri që mori pjesë në këtë krim të shëmtuar do të përballen me ligjin dhe të gjithë forcën e tij”, u shpreh Noka.


