Jorida Tabaku, Deputete e Partisë Demokratike, e cilëson simbol të arrogancës dhe mos-kujdesjes për trashëgiminë historike, projektin për ndërtimin e “Tirana Multifuncional Center”, në zonën pas Pallatit të Operas dhe Baletit.
Tabaku përmes rrjeteve sociale, duke vlerësuar punën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vuri theksin edhe tek politika. Sipas saj, duhet një politikë e re, si mjet real ndryshimi, me fakte e argumenta me zgjidhje që me të vërtetë besojnë dhe punojnë se mund t’i bëjë gjërat ndryshe.
“Në vitet 1990-2011, gropa e Hajdin Sejdisë ishte simboli i kapitalizmit alla Shqiptar – ndotja e qendrës së Tiranës, një shëmbull i rëndomtë i paditurisë politike. Edhe pse gropa u mbulua në 2011, për të qenë lulishte dhe jo moçali qytetit, 12 vite më vonë e njëjta politikë e riktheu në shëmbëlltyrën e politikës korruptive që ka shkatërruar jetët e shqiptarëve në 3 dekada”, thekson Tabaku.
“Gjatë kësaj kohe, oligarkët politikë dhe ekonomikë u pasuruan duke shkatërruar qytetin, ndërsa shumë prej tyre përdoren të njëjtat sjellje korrupsioni për të ndërtuar pasurinë e tyre”, vijon ajo.
Sipas saj, “projekti i kullës në qendër të Tiranës është simbol i qartë i arrogancës dhe mos-kujdesjes për trashëgiminë historike, duke shkatërruar nga ana urbanistike dhe funksionale qytetin. Njëri ndër faktorët që shkaktoi këtë situatë është mungesa e sundimit të ligjit dhe pandëshkueshmëria – një këndvështrim që po ndryshon me angazhimin e SPAK”, nënvizon Tabaku.
Deputetja e PD shprehet se “SPAK është duke bërë një punë të jashtëzakonshme në ndalimin e korrupsionit dhe shpërbërjen e oligarkisë politike dhe ekonomike. Ku është zhytur sot ekonomia, politika, media e çdo sektor mund realisht të ndryshojë veç me luftë pa kompromis ndaj korrupsionit e me mbështetje ndaj SPAK”.
“Sot shqiptarët e kuptojnë se kush e lufton korrupsionin e kush bën gjasme, kush flet sa për të kaluar rradhën e kush denoncon prej parimeve, kujt i është prekur interesi e kush është trimëruar nga halli. Politika, përpos SPAK, është shansi për të nxjerrë nga moçali politik Shqipërinë – të hapim rrugën për një politikë ndryshe, si mjet real ndryshimi, me fakte e argumenta me zgjidhje që me të vërtetë besojnë dhe punojnë se mund t’i bëjë gjërat ndryshe”, përfundon reagimin e saj Tabaku.
Akuzat e Tabakut lidhen me projektin që ka nisur të ndërtohet pas pallatit të operas dhe baletit. Një projekt që parashikon ndërtimin e “Tirana Multifunctional Center”.


