Kryetari i grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, nga rënia e euros, dëmtohen masivisht familjet shqiptare.
Në fjalën e tij në konferencën “Rënia e euros, fituesit dhe humbësit”, Berisha u shpreh se, “rënia e euros është një problem shumë tronditës, i cili shoqërohet me një goditje shumë të rëndë të prodhimit, për aq sa eksportet janë motori i fuqishëm i tij”.
“Shoqërohet me një goditje shumë të rëndë të punësimit, për aq sa sektori i eksporteve është një sektor madhor punësimi në këtë vend, shoqërohet me një disbalancë, thellim të mëtejshëm të disbalancës tregtare dhe lëkundje në themel të ekonomisë shqiptare”, tha ai.
“Janë debate të shumta dhe normale, mbi këtë situatë të zhvlerësimit të pamëshirë të monedhës evropiane, dhe të forcimit jashtë të çdo lloj logjike të lekut shqiptar. Nuk ka diskutim se leku është një simbol kombëtar dhe si i tillë forcimi i tij duhet të jetë çështje krenarie, por në këtë rast është një çështje turpi kombëtar. Kjo sepse ata të cilët përfitojnë nga ky raport i krijuar lekë-euro dhe euro-lek janë narkoqeveritarët dhe narkotrafikatët”, theksoi Berisha.
“Nga ky raport goditen në masë qindra dhe mijëra familje shqiptare që mbyllin ditën dhe muajt me të ardhurat e tyre në sipërmarrje që eksportojnë. Nga ky raport goditet mbi 30% e popullatës shqiptare e cila jeton, përballon ditën me remitancat e rregullta që u dërgohen nga njerëzit e vet në emigracion dhe nja 40% të tjera që marrin herë pas here dhe i kanë pjesë të llogaritur të buxhetit”, u shpreh Berisha.
“Nga ky raport ata që përfitojnë janë përbindëshit e trafiqeve të drogës, të cilët fusin në Shqipëri euro me kontejner, kamionë, mikrobuzë, i mbajnë të groposura dhe i nxjerrin për ndërtime, i nxjerrin për të blerë më çmime stratosferike dhe bëjnë që ajo rritje ekonomike jo që të mos shoqërohet me një përmirësim të gjendjes ekonomike të familjeve të thjeshta shqiptare, por përkundrazi me një varfërim më të madh progresiv dhe ajo rritje të shkojë e tëra tek oligarkët dhe klanet e drogës. Situata është dramatike”, nënvizoi Berisha.
Berisha foli edhe për rolin e Bankës së Shqipërisë.
“Banka e Shqipërisë, unë e kuptoj, nuk ka fuqi që ti rezistojë narkoeuros, kjo është narkoeuro. Ajo është një xhuxh para këtij gjiganti kriminal, ky i karteleve. Banka e Shqipërisë e bëri provën, i nxori 20 mln asgjë nuk ndryshoi. Ishte si kafeja e mëngjesit. Por Banka e Shqipërisë duhet të jetë zëri më i fuqishëm në denoncimin e tyre sepse këtu po ndodh një katastrofë e vërtetë”, tha Berisha.


