Kurti: Reforma në drejtësi domosdoshmëri, vettingu zgjidhja

Mos i humb

Kryeministri Albin Kurti në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka shfaqur pakënaqësi ndaj sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se vettingu është zgjidhja e duhur.

Kurti tha se janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë, lëvizin lirshëm, rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë, një referim për rastin e ndodhur në lokalin “Bon Vivant” natën e 4 gushtit.

Ai theksoi se edhe në raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare konstatohet se drejtësia vazhdon të jetë joefikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore.

Duke folur për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh se autorët morën dënim meritor vetëm pasi shoqëria reagoi ashpër ndaj krimit.

“U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor. Vendimet meritore të sistemit të drejtësisë kanë ndikim të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi. Përveçse sjellin drejtësi për viktimat dhe të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi jo të ligjshëm e penal, duke ndikuar kështu edhe në parandalimin e krimeve”, tha Kurti.

Kurti e quajti “vendim ekstrem” edhe atë për Naser Pajazitajn, i dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt ndërsa Supremja e liroi nga akuzat dhe e la të lirë.

Kryeministri u shpreh se niveli i besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera. Duke cituar raportin e UNDP dhe USAID, tha se kënaqshmëria e qytetarëve për performancen e sistemit të drejtësisë – gjykata dhe prokurorinë – është vetëm 29%.

Sipas tij, zgjidhja e vetme janë reformat dhe vettingu në sistemin e drejtësisë.

“Sipas statistikave të gjyqësorit, gjatë vitit 2022 Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim plotë 1,754 raste. Ky raport e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngulfat atë, e vonon drejtësinë, e humb besimin e qytetarëve, dhe si efekt përfundimtar, në mungesë të ndëshkueshmërisë efikase, rrezikon të inkurajojë krimin dhe kriminalitetin. Andaj, reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja. Tash e 5 muaj jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese t’i hap sa më shpejtë rrugë jetësimit të kësaj reforme. E koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur”, tha Kurti.

Në fund, Kurti përshëndeti edhe njëherë letrën e mbi 50 deputetëve dhe 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme që i bën thirrje Bruskelit, Uashingtonit dhe Londrës një qasje më të ashëpr ndaj Serbisë në raport me Kosovën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit