Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina u shpreh sot se PD do të mbështesë pa asnjë rezevervë SPAK-un dhe GJKKO-në për hetimin e plotë të aferave korruptive në sektorin e shëndetësisë, që janë të lidhura drejtpërdrejtë me shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Struktura e Posaçme Antikorrupsion ditën e djeshme lëshoi 8 urdhërarreste për politikanë dhe zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion me akuzat ‘shpërdorim detyre’, ‘falsifikim dokumentacioni’ dhe ‘mashtrim’, veprime të kryera gjatë procedurës së dhënies me koncesion të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale”, tha ajo.
Karabina u shpreh se “tashmë publiku po sheh qartë se korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi i fondeve publikë është kthyer në një fenomen të qeverisë Rama, pasi zinxhiri i përfshirjes është në gjithë qelizat e qeverisjes dhe shtetit”.
“Hetimi i thelluar profesional i SPAK dhe GJKKO-së dëshmon katërcipërisht atë që Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha kanë denoncuar që në 2016-ën mbi korrupsionin dhe mashtrimin në lidhje me këtë koncesion, ku biznesmeni Ilir Rrapaj me 8 mijë euro kapital mori 83 milionë euro tender të koncesionit të sterilizmit. Kontrata e Partneritetit-Publik-Privat në këtë koncesion parashikon sterilizim të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale një përdorimshe. Dhe për një set kirugjikal, koncensionari në Shqipëri paguhet plot 190 euro, krahasuar me 0.8 euro në Gjermani apo 3 euro në Turqi”, theksoi ajo.
E gjitha kjo, sipas Karabinës, “është dëshmi e babëzizë së pamasë të kësaj qeverie dhe e korrupsionit të thellë, i cili ka vënë në lojë dhe rrezik shëndetin e qyetarëve”.
Karabina theksoi se “Partia Demokratike jo vetëm e ka denoncuar, por dhe e ka kallëzuar penalisht në SPAK koncensionin korruptiv të sterilizimit, hetimet e të cilit po dëshmojnë këtë abuzim galopant të Ministrisë së Shëndetësisë, sikundër edhe abuzimin historik me vjedhjen e fondeve publike ne shëndetësi përmes Check-up”.
“Partia Demkratike përshëndet institucionet e SPAK dhe GJKKO për këtë aksion kombëtar të vënies para drejtësisë të politikanëve e zyrtarëve të lartë dhe klientëve të tyre si shkelës të ligjit por, gjithashtu, i inkurajon këto institucione t’i shkojnë deri në fund hetimit”, theksoi ajo


