Darka informale në Athinë, Rama: U dërguan mesazhe kontradiktore

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas mungesës së ftesës për të marrë pjesë në darkën informale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, që u zhvillua mbrëmë në Athinë.

“Kjo është përgjigjja ime për të gjithë ata, në Greqi, në Shqipëri apo gjetkë, që komentuan në mënyra të ndryshme ose u hutuan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes. Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë, të mbledhur në Athinë, të përfundonin punën e tyre””, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të mikpritur liderë shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se besoj sinqerisht se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE”, u shpreh Rama.

“Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos i bëjë konfuzë të ftuarit e nderuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq”, vijon më tej kryeministri.

Rama theksoi se “tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë”.

“Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh”, shtoi ai.

“Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etura për të shfrytëzuar çdo rast për ta bërë qimen tra. Por, ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës sonë është më e madhe se ajo që na ndan. Ka shumë rreziqe globale, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore”, u shpreh kryeministri

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit