Në drejtimin e kryetares, Mimi Kodheli, u mblodh ditën e sotme Komisioni për Politikën e Jashtme.
Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA II), ratifikuar me ligjin nr.3/2022”.
I ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte Drejtori i Përgjithshëm Koordinimi Kombëtar, Ilir Beqja, i cili u shpreh se, “marrëveshja bazë e miratuar në vitin 2020 përfshinte disa dokumente veprimi, një prej të cilave ishte edhe mbështetja buxhetore për përballimin e situatës së krijuar nga pasojat e Covid-19. Mbështetjet buxhetore nuk lidhen me një veprim konkret, por janë para që i shkojnë drejtpërdrejt buxhetit të shtetit. Kërkohet ndryshimi i kësaj marrëveshje për dy arsye, e para sepse disa tregues të zhvillimit ekonomik e social të vendit u ndikuan nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Me Komisionin Europian negociuam për ndryshimin e disa indikatorëve, të cilët kemi rënë dakord dhe na bëjnë të mundur që të përthithim të plotë shumën”.
Relatori i çështjes, Etjen Xhafaj, nënvizoi se, janë 9 objektiva të shpërndara dhe duke qenë se, menaxhimi i fondeve bëhet nga zyrat e BE në Tiranë, disa prej tyre duhet të rishikohen për t’u ofruar me ato që janë nevojat e vendit dhe stadi i zhvillimit të marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ndërtimi i urave të qëndrueshme, duke përdorur qasjen e programit me shumë faza”.
Ky projektligj u prezantua nga Zëvendësministrja e Insfrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e cila nënvizoi se, “ky projektligj ka për qëllim mundësimin e financimit, për implementimin e studimeve të fizibilitetit dhe të projekteve të detajuara për rikonstruksione të thella dhe të mesme të urave ekzistuese, të urave të reja dhe veprave të artit në rrjetin rrugor kombëtar. Projektligji është në harmoni të plotë me objekivat 8 dhe 9 të objektivit strategjik të OKB të miratuar në 2015 dhe në përputhje me strategjinë e transportit të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2016. Ky akt lind nga dhe për shkak të ngjarjeve të rënda të vitit 2019, shtatori dhe nëntori i atij viti. Ka një plan për mbështetjen financiare sipas rastit ose për ura të reja ose rikonstruksionin e atyre ekzistuese, apo mirëmbajtjen ku është e nevojshme”.
Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Borxhit Shtetëror, Kesjana Halili, u shpreh se, kredia është në shumë 51.6 milionë euro dhe është një projekt i parashikuar për tu financuar me kredi në programin buxhetor afatmesëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Relatori i çështjes, Lavdrim Krashi, i cili ftoi kolegët të votojnë pro këtij projektligji, nënvizoi se, kushtet e huasë janë favorizuese dhe se norma e interesit do të jetë shumë e ulët.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


