Partia Lirisë akuzon kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se nuk e ka mbajtur premtimin e vitit 2017, për ujë të pijshëm 24 orë.
Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i cili mban edhe pozicionin e Kryetarit të Grupit të Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, akuzon Veliajn se pavarësisht rritjes së çmimit të ujit me 40% në kryeqytet, sërish ka mungesë të furnizimit me ujë.
“Erion Veliaj rriti me 40 % çmimin e ujit në vitin 2017, por Tirana vijon të përballet përditë në zona të ndryshme me mungesën e ujit të pijshëm. Megjithë propagandën e Erion Veliajt, për rritjen e orëve të furnizimit me ujë, ajo që hasin përditë qytetarët është mungesa e furnizimit. Tirana nga 12 orë ujë që furnizohej në 2017, aktualisht në disa zona furnizohet vetëm me 6 orë ujë në ditë”, tha Braimllari.
Sipas nënkryetarit të Partisë së Lirisë, “Para 6 vitesh, teksa rriti çmimin e ujit të pijshëm me 40%, Erion Veliaj premtonte ujë 24 orë me cilësi Korçe dhe çmim Bathore. Sot që flasim jo vetëm që uji nuk është i pijshëm por nuk ka furnizimin me ujë”.
“Premtoi, heqjen e depozitave mbi pallate dhe këtë e bëri me një propagandë shumë të madhe ndërkohë jo vetëm që depozitat nuk janë hequr por qartazi janë shtuar. Pas 6 vitesh, të rritjes së çmimit të ujit kur qytetarët prisnin përmirësim të kushteve të furnizimit, Erion Veliaj ka menduar vetëm për tenderë korruptivë të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime”, u shpreh Braimllari.
Ai tha se “UKT bën tenderë 10 milionë euro për kamera, shton numrin e punonjësve për efekt elektoral midis tyre dhe punësimet fiktive. Punonjës që marrin rrogën në UKT dhe jetojnë jashtë vendit”.
Braimllari garantoi se, Këshilltarët e Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës do të vazhdojnë të kërkojnë transparencë për mungesën e ujit të pijshëm dhe mungesën e furnizimit me ujë 24-orë të banorëve të Tiranës.
“Partia e Lirisë i ka kërkuar Erion Velisë dhe UKT-së transparencë se ku shkojnë paratë e rritjes çmimit të ujit, duke qenë se përmirësim në shërbim nuk ka. Partia e Lirisë ka kërkuar nëse këto të ardhura janë investuar në përmirësimin e rrjetit, të rritjes së kapacitetit prodhues të Bovillës, të rritjes së kapacitetit të furnizimit me ujë apo për procedura tenderimi dhe punësime fiktive. Erion Veliaj duhet të dalë të japë llogari përpara qytetarëve pse nuk ka realizuar premtimin për furnizimin me 24 orë ujë në Tiranë”, nënvizoi Braimllari.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë në fund garantoi se “Partia e Lirisë do të kërkojë transparencë dhe llogari për gropën e thellë të korrupsionit në UKT sepse janë qytetarët e Tiranës që paguajnë çdo ditë rritjen e çmendur të ujit të pijshëm”.


