Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu deklaroi sot se, “ekonomia shqiptare përballet në mënyrë të vazhdueshme me sfida dhe problematika të mëdha”.
Sipas tij, “këto sfida dhe problematike nuk mund të zgjidhen me propagandë, klipe e videoklipe, por me reforma të thella strukturore të ekonomisë shqiptare”.
“Ne ende nuk kemi evidentuar dhe ndërtuar një strategji kombëtarë për zhvillimin ekonomik për 50 vitet e ardhshme”, tha ai.
“Zhvillimi i vendit nuk mund të lihet në dorë të oligarkisë ekonomike vendase apo të huaj, të cilët e shikojnë Shqipërinë si një tortë ku e ndajnë sipas oreksit”, theksoi ai.
Agalliu u shpreh se, “qeveria shqiptare duhet të ketë plan të qartë zhvillimor dhe një strategji kombëtare zhvillimi e ndërtuar me të gjithë aktorët dhe faktorët, grupet e interesit si dhe ekspertët më të mirë, larg politikës së ditës”.
“Sipas Bankës Botërore, raporti i para disa ditëve, thuhet se Shqipëria ka rritje, por pa mirëqenie. E përkthyer më thjesht, do të thotë që paraja është e fokusuar në disa duar dhe mirëqenia e shqiptarëve është larg asaj që duhet të jetë, aq më tepër nëse e krahasojmë me vendet e Bashkimit Europian, ku aspirojmë të bëhemi pjesë”, tha Agalliu.
“Banka Botërore vë në dukje se, investimet në kapitalin njerëzor dhe në produktivitetin e bizneseve janë dy rrugët për të përshpejtuar mirëqenien e shqiptarëve, por ajo që fatkeqësisht ndodh është largimi masiv i shqiptarëve. Sot shqetësim është largimi i shtresës së mesme dhe profesionistëve si mjekë e infermierë, mësues e pedagogë, inxhinierë e arkitektë”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, shtoi deputeti demokrat, “vijon rritja e çmimeve, ku çmimet e shportës janë në nivele alarmante për të ardhurat që shqiptarët kanë”.
Pavarësisht kësaj, shtoi ai, “qeveria nuk ka marrë asnjë masë domethënëse, asnjë ulje të barrës fiskale, asnjë ulje të tvsh për produktet e shportës, asnjë takim me grosistët apo importuesit kryesor për të ulur çmimet e produkteve bazë”.
“Qeveria ende nuk po përcakton minimumin jetik duke lënë në dorë të fatit qindra familje ne nevojë”, tha ai.
Ndaj, vijoi Agalliu, “në këto kushte, Partia Demokratike kërkon nga qeveria, së pari, pranimin e situatës kritike në ekonomi, si dhe zbatimin e rekomandimeve të Bankës Botërore apo FMN”.


