Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
Berisha u shpreh se, “në një akt të paprecedent në ndonjë vend tjetër, kryetari i opozitës vihet nën sanksione nga gjykatëse e lidhur direkt me Edi Ramën dhe skapistë të kontrolluar plotësisht prej tij, si në asnjë vend tjetër dhe si kurrë ndonjëherë në Shqipëri, vihet në sanksione pa autorizimin e parlamentit”.
“Ndaj tij, gjykatësja e lidhur direkt me Edi Ramën, skapistët e kontrolluar plotësisht prej tij, vendosin masën e paraqitjes dy herë në javë, vendosin kufizimin e lëvizjes duke i marrë pasaportën”, tha Berisha.
“Këto veprime janë në kundërshtim flagrant me disa nene të Kushtetutës, por më specifik me nenin 73, pika dy, në të cilin sanksionohet se deputeti nuk mund të arrestohet, nuk mund t’i kufizohet në asnjë lloj formë liria e tij, nuk mund të kontrollohet pa autorizimin e parlamentit”, theksoi Berisha.
“Mbi bazën e këtij neni të mbartur që në fillimet e pluralizmit, gjer sot asnjë deputet nuk ka pasur sanksione nga prokurorë apo gjykatës pa autorizimin e parlamentit”, u shpreh au.
“Në rast se u kujtohet, ka qenë rasti Bllako, rasti Tahiri e shumë të tjera. Kjo do të thotë se Edi Rama, Kushtetutën e zbaton për miqtë e tij, për deputetët e tij, dhe jo për deputetët e opozitës që i ka armiq në konceptet e tij mjerane. Pra, një nen i Kushtetutës që vlen për hajdutë si Alqi Ballako, trafikantë si Saimir Tahiri, nuk mund të vlejë për kryetarin e opozitës, Sali Berishën”, u shpreh Berisha.
“Kjo demonstron në mënyrën më flagrante karakterin tmerrësisht politik të këtij procesi të ndërmarrë nga Edi Rama me frikën e tmerrshme se opozita nisi 10 ditë më parë në parlament, betejën pa kthim”, nënvizoi ai.
Berisha shtoi se, “Prokurorët politikë të Edi Ramës, pas tre vjet hetimesh intensive, nuk arritën të gjenin asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument”.
“Dy fjalë edhe për privatizimin e klubit Partizani. Ju garantoj se me të gjithë përpjekjet e shëmtuara të gazetarëve të Sorosit dhe të tjerëve të paguar nga prokuroria, ai është procesi më legjitim që mund të jetë kryer ndonjëherë. Në 3 vjet hetime, prokurorët politikë të Edi Ramës, pas tre vjet hetimesh intensive, nuk arritën të gjenin asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të ndërtojnë akuzë penale kundër meje, dhëndrit tim, profesor Jamarabër Malltezit, apo ndonjë tjetri”, tha Berisha.
“Nuk arritën sepse nuk gjetën asnjë shkelje ligjore, përveç njërës, të kryer direkt nga Edi Rama, siç thonë ata, me ndryshimin e orientimit nga sport në zonë banimi, kryer nga Edi Rama në vitin 2006. Nuk ka në mënyrë absolute as edhe një shkelje ligji”, tha ai.
Berisha theksoi se, “janë pyetur me dhjetëra e dhjetëra punonjës. Asnjë prej tyre nuk del të thotë se Sali Berisha më ka bërë presionin më të vogël. Asnjë prej tyre nuk del të thotë se Jamarbër Malltezi shkeli në zyrën time apo më bëri presion. Gjithçka ndërtoi një piramidë mashtrimi të paturpshme duke fshehur dhjetëra e qindra dokumente”.
Ai përsëriti se, tre janë momentet themelore të këtij procesi.
“Moment themelor që ky proces të ecte, ishte heqja nga plani i përhapjes së forcave të armatosura me firmën e presidentit të Republikës. Sali Berisha nuk ka dorëzuar kurrë një propozim të tillë te asnjë president. Por dokumentet zyrtare faktojnë se që nga viti 2000, terreni i klubit Partizani, që ishte i vendosur në tokat e 5 familjeve tiranase, nuk kishte lidhje me ministrinë. Ai kishte mbetur terreni i askujt, ndërtesat e askujt. Ministri Ismail Lleshi, me një shkresë urdhëron shtabin e përgjithshëm që ta marrë në mbikëqyrje që të mos lejojë zhvillimin e mafies mbi të, se ajo mbeti tokë e askujt. Pra, heqjen nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura, e kanë bërë të tjerë para vitit 2005”, tha Berisha.
“Së dyti, çdo veprim i qeverisë së Sali Berishës pas vitit 2005, është bërë bazuar në listën zyrtare të presidentit të Republikës, mbi pronat e planpërhapjes së Forcave të Armatosura. Në këtë dokument, klubi Partizani nuk ekzistonte”, u shpreh ai.
“Ka edhe një moment kyç këtu, pa të cilin aty ndërtime nuk mund të bëheshin. Dhe ky moment kyç është ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv, në terren urban. Këtë akt e ka kryer Edi Rama më 6 qershor 2006, në një kohë kur asnjë nga objektet nuk ishte privatizuar. Pra, u kthyen nga terrene sportive në zonë urbane direkt nga Edi Rama”, shtoi Berisha.
“Po Edi Rama, në vitin 2008 apo 2009, kontrakton studion zvicerane Urban Plan, për të bërë planin e zonës, dhe e cilëson këtë zonë urbane. Ky Shalsi i Ramës, shkonte dhe bënte dëgjesa me qytetarët edhe për këtë zonë, për ndërrimin e destinacionit”, tha Berisha.
“Së treti, një gënjeshtër e pafytyrë, e paturpshme e gazetarëve të paguar nga prokuroria dhe të tjerëve që nuk kanë vëmendjen ta lexojnë, se ky proces është kryer me urgjencë. Ky proces ka filluar në vitin 1994 me kërkesën e këtyre pesë familjeve të Tiranës, për njohjen e pronës në Komitetin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës. Komiteti ka njohur pronën dhe jo vetëm e ka njohur, por ka kthyer një sipërfaqe prej disa metra të saj, që ishte krejt e lirë. Procesi ka vazhduar në vitin 2000, 2004 dhe është kompletuar në vitin 2009”, nënvizoi Berisha.
Por, theksoi ai, “njohja e pronave dhe kthimi i tyre, për të cilin prokurorja e partisë Mellonai, pretendon se ka ndodhur nga viti 2006, është një gënjeshtër e turpshme. Ka filluar në vitin 1994 dhe ka vazhduar deri në vitin 2009”.
“Nëse njohja dhe kthimi përfundoi, ta supozojmë në vitin 2007, mbeteshin të privatizoheshin objektet e ndërtuara mbi këto prona. Procesi i privatizimit të këtyre objekteve, kërkesa për privatizim janë bërë në fund të vitit 2006 dhe privatizimi ka përfunduar në vitin 2009”, tha ai.
Pra, nënvizoi Berisha, “jo që nuk ka procedurë të shpejtuar, por ka procedurë të zvarritur dhe të ngadalësuar. Ndërkohë që ligjet e vendit kërkonin që kërkesave t’u jepej përgjigje brenda 4 muajsh. Maksimalisht thoshte ligji. Por ato kanë vazhduar për 3 vjet, dhe kjo është e tëra e dokumentuar. Pra, kemi të bëjmë me një mashtrim publik”.


