Komisioneri Ilirjan Celibashi, në një konferencë të zhvilluar me gazetarët u shpreh se për zgjedhjet e ardhshme ka nevojë që të angazhohen të gjithë, për të përmbushur edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR.
Celibashi u shpreh se është e papranueshme që disa votues e kanë të pamundur për të votuar dhe se kjo duhet të ndryshojë.
Një tjetër temë në të cilën u fokusua komisionieri Celibashi është edhe vota e Diasporës, për të cilën tha se është me rëndësi që në zgjedhjet e 2025 kjo çështje të marrë një zgjidhje.
“Kuvendi dhe partitë politike duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës. Jemi në dijeni të faktit të Gjykata Kushtetuese ka prodhuar një realitet të tillë që udhëzon Kuvendin në lidhje me këtë çështje.
Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, nuk hezitoj ta them që për zgjedhjet 2025 votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin”, tha ndër të tjera ai, duke shtuar: “Sigurimi i të drejtës për të votuar për një kategori specifike të votuesve është me rëndësi.
E dimë që ka një kategori që nuk mund të votojnë që nuk mund të dalin dot nga shtëpia.
Nuk mund të injorojmë faktin se disa votues e kanë të pamundur për të votuar dhe kjo shkon edhe me nevojën e kërkesës së ndërkombëtarëve për të përmirësuar infrastrukturës. Kjo çështje lidhjet me garancinë që duhet t’i ofrojë shteti kujtdo që duhet të votojë”.


