Nikolla: Ndryshimet kushtetuese mundësuan reformën në drejtësi

Mos i humb

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së mbajtur në kuadër të “25 vite Kushtetutë”, deklaroi sot se Shqipëria ka një Kushtetutë të mirë dhe kuadër ligjor modern.

Nikolla nënvizoi se Kuvendi ka qenë i vendosur deri në fund në mbrojtjen e Kushtetutës.

“Kuvendi nuk duhet të lejojë dhe nuk do të lejojë që të zgjedhurit të imponojnë vullnetin e tyre përmbi vullnetin e popullit dhe të zgjedhësve”, tha ajo.

Kryeparlamentarja u ndal tek ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi falë së cilës sipas saj, është thyer miti i paprekshmërisë.

“Sistemi i drejtësisë kishte dhënë mjaftueshëm prova se nuk ishte i aftë të vetëreformohej dhe t’i përgjigjej dinamikave të reja të zhvillimit të vendit. Reformimi i tij mund të bëhej vetëm nga jashtë sistemit me mbështetjen e pjesës më me integritet të tij. Kjo rezultoi e vetmja rrugë për të çliruar shoqërinë, zhvillimin, interesin publik dhe qytetarët nga një sistem drejtësie i padrejtë dhe i korruptuar”, tha ajo.

Nikolla nënvizoi se këto rrethana nevojash çuan në rishikimin e Kushtetutës dhe ideimin e zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Në 22 Korrik 2016, Kuvendi miratoi unanimisht ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë Reformës në Drejtësi dhe gjatë kësaj dekade ka mbështetur e po mbështet fuqimisht realizimin e Reformës në Drejtësi. Është e qartë që reforma nuk pretendon të drejtën hyjnore, por dhënien e drejtësisë të kushtëzuar vetëm nga qytetarët, Kushtetuta dhe interesi kombëtar e publik”, deklaroi ajo.

Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se “sot nuk ka asnjë dyshim se miti i të paprekshmëve po thyhet dhe kultura e paprekshmërisë po zëvendësohet nga parimi i madh dhe i thjeshtë askush përmbi ligjin, askush nën ligjin. Konsensusi i madh popullor, qytetar e publik për sistemin e ri të drejtësisë është një frymëzim për Kuvendin dhe një mbështetje e madhe për Kushtetutën”.

Në përfundim, Nikolla falënderoi partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE për mbështetjen e reformës në drejtësi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit