-Zhvillohet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që shqyrton sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
-Të pranishëm janë kryetarja e Këshillit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, deputetët e PS-së, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka, Bledi Çuçi dhe Arben Pëllumbi dhe nga opozita deputeti Enkelejd Alibeaj. Aty mundojnë deputetët e tjerë të PD-së që kanë mbështetur Sali Berishën në parlament, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi.
-Të pranishëm edhe prokurorët e SPAK që kanë në hetim çështjen, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
-Ish-kryeministri Berisha në një deklaratë për mediat para mbledhjes tha se nuk mund ta pranonte të ishte aty pasi poshtërohet Kuvendi. Ai përfaqësohet nga avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Megjithatë kryedemokrati nuk është larg Kryesisë, por në rrugën përballë saj, pasi aty PD-ja mban sot një protestë. Ai ka deklaruar më herët se do ta pranojë çdo vendim të Kuvendit.
Bushka i drejton pyetje prokurorit të SPAK.
Klotilda Bushka: A është njoftuar për ekzekutimin e masave zoti Berisha? Duhet të shohim nëse jemi para një vendimi arbitrar, a jeni ndjerë të ndikuar ju nga interesa të drejtësisë në këtë proces dhe a janë rezauruar të gjithë hapat për të ardhur deri në Kuvend?
Arben Kraja: I kemi paraqitur në relacion, janë 3 vendime gjykate ku është zbatuar gjithë procedura. Është bërë ankim nga avokatët dhe vetë personi që e ka shqyrtuar Gjykata e Apelit. Janë kryer të gjitha etapat. Nuk ka asnjë ndikim të jashtëm. Bindjen e kemi dhe e kemi paraqitur para gjykatës, do jetë ajo që do vendosë në fund. Është rezauruar gjithë procedura patjetër. Vendimmarja është e juaja, por kjo nuk na pengon të vazhdojmë hetimin.
Një ndër pyetjet që iu bë prokurorit Arben Kraja është edhe pse deputetët nuk duhet ta konsiderojnë një veprim politik këtë kërkesë të SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kraja u përgjigj se nuk ka asnjë veprim politik në këtë çështje. Ai u shpreh se në çdo rast puna e prokurorëve mund të përflitet nga palë të ndryshme, por SPAK nuk merret me fjalë.
Enkelejd Alibeaj: Kërkimi i masave të sigurimit siç janë këto, të rënda, arrest në burg, arrest në shtëpi, nuk duhet të konsiderohen si instrumente të përdorimit politik, aq më tepër ku bëhet fjalë për përfaqësues politik. Prokuroria ka detyrimin jo thjesht të hetojë me profesionalizëm, por duhet të jetë e vëmendshme, që aktet e veta jo vetëm të mos jenë politikisht të orientuara, por as të mos perceptohen si të tilla sepse rrënohet besimi i publikut tek prokuroria. Rasti konkret, pretendimit që aktet tuaja, procedimi penal, vendosja e masës, kërkimi tashmë edhe i autorizimit për dy masa të tjera, që të gjitha këto bëhen politikisht të orientuara, madje të orkestruara nga mazhoranca, si i përgjigjeni? Si i sfidoni ju sepse është e rëndësishme për vendimmarrjen tonë këtë lloj qëndrimi. Pse nuk duhet ta konsiderojmë që ju po veproni politikisht?
Arben Kraja: E para që dua të them është që nuk ka asnjë veprim politik. Që në momentin që është regjistruar procedimi penal e deri në momentin që jemi sot dhe nuk do të ketë asnjë ndikim politik deri në zgjidhjen përfundimtare. Çdo kërkesë e kemi të bazuar në prova që kemi mbledhur në dosje, të bindur për atë që kemi kërkuar. Ia kemi paraqitur gjykatës, gjykata na ka dhënë të drejtë deri më tani. Mund të mos na japë në fund, është çështje e hapur. Besoni e dini shumë mirë që kemi kompetencë të hetojmë kryesisht edhe funksionarët e lartë shtetërorë. Për sa kohë ne kemi kompetencë për të hetuar funksionarët e lartë shtetërorë nuk mund të jemi në dukje të paanshëm. E përgjithshme kjo. E kam thënë qartë. Unë kam për detyrë apo prokurori tjetër ku ka një kallëzim për një deputet, për një ministër, për një ish të tillë të fillojë hetimin. Në dukje padiskutim kjo mund të përdoret nga palë të ndryshme për të thënë që e filloi se tha ky, e filloi se tha ai. Ne nuk i ndalojmë dot këto fjalë. Kam qenë drejtues i këtij institucioni për 3 vite dhe jam akuzuar në dukje që po punoj për llogari të krahut tjetër se godas ata që janë në pushtet. Nuk merrem me këto fjalë. Nuk merrem me këto fjalë, por meqenëse u hap ky muhabet Të jeni të bindur që nuk ka asgjë politike. Në jetën time nuk jam marrë ndonjëherë me politikë, as më shkon në mendje të merrem me politikë dhe as do bëhem kurrë politikan.
Kraja shpjegoi edhe përse prokuroria nuk iu drejtua Kuvendit kur vendosi masën e detyrimit të paraqitjes për ish-Kryeministrin.
Arben Kraja: Ne kemi vepruar bazuar në legjislacionin në fuqi, në Kushtetutënn dhe Kodin e Procedurës Penale dhe kemi paraqitur atë kërkesë, të cilën na e ka miratuar edhe Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli. Kështu që nga pikëpamja e përmbajtjes jemi totalisht të bindur që kemi të drejtë dhe i qëndrojmë kësaj deri në fund. Cilat janë arsyet përse? Gjithmonë duhet t’i referohemi ‘Kushtet e procedimit’, nenin 288, sepse aty është gjitha baza te Kodi i Procedurës. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit e arrestit, burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, kontroll personal apo i banesës, prokurori kërkon autorizim. Gjithë debati që bëhet këtu është shumë i thjeshtë, është vetëm tek një shprehje; çfarë do të thotë heqje lirie. Besoj për arrest në burg e shtëpi nuk kemi diskutime as për kontrollet. Heqje lirie do të thotë heqje lirie, nuk është kufizim. Kufizim dhe heqje janë dy nocione krejt të kundërta. Kufizimi është më i ngushtë, heqja është totalisht heqje. Kur do ishim ne në rast të një heqje që unë mendoj që prokurori duhet ë vinte para jush të kërkonte leje?
Tek neni 232, llojet e masave shtrënguese. Një nga masat shtrënguese që parashikohen është shtrimi i përkohshëm në spital psikiatrik. Çfarë do të thotë kjo? Heqje totale e lirisë. Në kushtet të tilla, unë shpresoj që të mos kemi asnjë situatë të tillë, por ligji i parashikon këto situata, prokuroi patjetër duhet të vijë para Kuvendit, duhet të kërkojë leje për ta marra këtë. E jep gjykata ose jo është histori tjetër pastaj. E dyta, thuhet te neni 289, mosdhënia e autorizimit, pra nëse ne vijmë me kërkesë për arrest dhe Kuvendi nuk e miraton sepse ka arsye e tij, nuk e pengon të kërkojë masa të tjera të sigurimit prokurorin, sipas nenit 244. Masat e tjera janë ato që ju thashë. Ne kemi bërë këtë procedurë.
Pyetje përgjigje mes avokatit Sokol Mëngjesi dhe prokurorit Arben Kraja. Prokurori i posaçëm tha se arsyeja pse çështja ka ardhur këtu është për faktin se Berisha nuk është paraqitur para oficerit të Policisë Gjyqësore.
Sokol Mëngjesi: Prokurorët nuk do të përgjigjen këtu sa i përket fakteve, sepse presupozojnë që kanë sjellë vendime gjykate. Në periudhën nga caktimi i masave të sigurimit deri në momentin që flasim, a keni prova për t’ia paraqitur këshillit, që Berisha ka marrë veprime konkrete për t’u larguar nga vendi për të mos u përshtatur për nevojat e procedimit penal?
Prokurori Arben Kraja: Personi në hetim, Sali Berisha nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore. Për këtë arsye kemi ardhur këtu.
Sokol Mëngjesi: Pyetja e dytë. Keni prova konkrete që nga caktimi i masave të sigurimit për t’ia paraqitur këshillit për të vërtetuar nëse ekziston ndonjë rrezik që zoti Berisha të ketë ndërmarrë ndonjë veprim për të prishur provat?
Prokurori Arben Kraja: Ju përgjigja zoti avokat.
Pasi kryeprokurori Arben Kraja ka parashtruar argumentet e Prokurorisë së Posaçme për ashpërsimin e masës ndaj kryedemokratit Sali Berisha sa i takon dosjes së ish-klubit sportiv “Partizani”, avokati Genc Gjokutaj e cilësoi gënjeshtër një nga citimet. Sipas Gjokutajt, është me prova që Berisha nuk ka firmosur për kalimin e destinacionit nga klub sportiv në sipërfaqe banimi. Kraja refuzoi të përgjigjej, duke shtuar se ky është diskutim që duhet kryer në Gjykatë.
Genc Gjokutaj: Në kërkesën tuaj vërejmë që i atribuoni personit nën hetim Sali Berisha faktin që ka ndikuar në ndryshimin e destinacionit nga klub sportiv në sipërfaqe banimi. Ku e mbështesni këtë pretendim?
Arben Kraja: Pyetja s’ka lidhje me objektin, ky është debat që bëhet para Gjykatës kompetente. Nuk kam përgjigjie.
Lindita Nikolla: Nuk jemi në Gjykatë këtu për debat.
Genc Gjokutaj: Unë jam avokati dhe po i referohem aktit për të cilin jeni vënë në lëvizje.
Lindita Nikolla: Pyetje, por jo komente.
Genc Gjokutaj: Do merrni vendime ju e nderuar, po pushova unë ju doni të mbaroni shpejt. Unë nuk po i referohem fashikullit të hetimit, nuk është hamendësim, ky rezulton nga akti. I dini ju kush i ka firmosur? Ky do të të fusë në burg, por pa të përmendur emrin. Kjo është një gënjeshtër, zoti prokuror të thashë.
Arben Kraja: Kujdes me etikën!
Genc Gjokutaj: Nuk është fyerje “ky”, janë përemra, edhe për larmi leksiku. Kjo duhet kaluar në sitë, nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen tuaj. Është një tjetër person që i ka firmosur këto akte që zoti Prokuror i di shumë mirë, unë s’mund të bëj këtu sikur nuk di. Ju lutem ta verifikoni këtë rrethanë sepse ne kemi provat. Janë koshientë që nga dita e parë që nuk shkojnë në Parlament që e interpretojnë vetë ligjin, e shkruajnë vetë.
Arben Kraja: Vlerësojmë se nga hetimet e kryera deri më tani ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, është konsumuar vepra penale korrupsioni pasiv, i funksionarëve të lartë shtetëror ose i zgjedhur vendor në bashkëpunim. Vlerësojmë gjithashtu se ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit dhe ekzistenca e këtyre kushteve dhe kritereve janë vlerësuar dhe konfirmuar tashmë nga gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe të Apelit. Personi nën hetim Sali Berisha në mënyrë të përsëritur nga nuk ka zbatuar detyrime që i ngarkohen nga ligji procedural penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore. Mbështetur nga sa më sipër dhe shpjeguar, ne kërkojmë dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, ndërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, nga detyrim për t’u paraqitur dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, në atë me arrest me burg/arrest në shtëpi.
Pas rrëzimit të kërkesës paraprake të avokatëve, fjalën e mori prokurori Arben Kraja i cili paraqiti kërkesën e SPAK para komisionit.
12:28 – Kërkesa e avokatit të Berishës, Genc Gjokutaj, për pezullimin e seancës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese u hodh poshtë nga anëtarët e pranishëm. Të gjashtë votuan kundër saj. “Vijojmë sipas procedurës që përcakton rregullorja e Kuvendit”, u shpreh Nikolla.
12:25 – Klotilda Bushka: Në respekt të procedurës, kërkesa që paraqitet si kërkesë paraprake do duhet të ishte e bazuar në një normë kushtetuese ose ligjore. Kërkesa që vjen sot për pezullimin e shqyrtimit të një kërkese që bën sot SPAK, është një kërkesë që shqyrtohet në kuadër të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit dhe nuk ka një arsye të bazuar në Kushtetutë e ligj për t’u pezulluar.
12:20 – Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi u shpreh se kërkesa e avokatit të Berishës nuk ka bazë ligjore. “E para nuk ka asnjë bazë ligjore procedurale për të kërkuar këtë pezullim. Është në vullnetin tonë për ta bërë këtë gjë. Në lidhje me pyetjen e Alibeajt unë po e shoh pak kërkesën tuaj që keni bërë në Gjykatën Kushtetuese (GJK) dhe këtu nuk kërkoni pezullimin e procedurave parlamentare. Mund t’i kishit kërkuar GJK edhe pezullimin e procedurës parlamentare në dhënien e autorizimit, gjënë që po na kërkoni ne. Ju keni kërkuar vetëm pezullimin e masave shtrënguese. Por nuk kemi kërkuar pezullimin e procedurave parlamentar për dhënien e autorizimit për kërkesën që ka sjellë prokuroria. Ndaj nuk ka asnjë kusht ligjor, edhe për të mirën e procesit nuk ka asnjë arsye që ta pezullojmë këtë proces”, tha Çuçi.
12:19 – “Patjetër do ketë një vendimmarrje të këshillit, unë shpreha gjykimin tim persona”, u shpreh Lindita Nikolla pas fjalës së Alibeajt.
12:15 – Deputeti Enkelejd Alibeaj kërkon të tjera sqarime nga avokati i Berishës. “Duke qenë se është kërkesë paraprake e udhës është të trajtohet me respektin maksimal, jo vetëm kërkesën, por edhe arsyet që avokati i sqaroi. Kisha një pyetje për avokatin. Kuptoj që ju kërkoni të pezullohet ose shtyhet kjo seancë, meqë është paraqitur një kërkese në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa e paraqitur nga deputetë që dhe GJK, sipas opinionit tuaj ka për objekt të vetin pezullimin e procedurave parlamentare për kërkesën e paraqitur nga SPAK për autorizim për këtë çështje. Apo i përket vendimeve të marra nga gjykata më parë”, tha ai.
12:10 – Kryeparlamentarja Lindita Nikolla iu përgjigj duke thënë se ky nuk është një rast për pezullimin e seancës pa dëgjuar ende prokurorët e çështjes. “Nuk jemi në rastet e pezullimit të kësaj seance, nuk mund të pezullojmë një seancë pa dëgjuar ende prokurorët e çështje, ndaj unë mendoj që ne duhet të vazhdojmë me seancën”, tha ajo.
12:05 – Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj kërkon pezullimin e seancës. Sipas tij, duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese pasi disa ditë më parë 28 deputetë të grupit parlamentar të PD-së iu drejtuan “Kushtetueses” për pezullimin e masave shtrënguese ndaj ish-kryeministrit dhe interpretimin e nenit 73 të Kushtetutës, pika 2 e tij. “Ta shtyni derisa GJK me procedurë të përshpejtuar të vendosë për këtë. Është kërkesë procedurale, ju lutem që me referencë ligjore t’i bëjmë procedurat sipas rëndësisë, radhës dhe kohës. Pezullimi derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese“, tha ai.


