Rusia ka konfirmuar se një nga luftanijet e saj u dëmtua në Detin e Zi gjatë një sulmi nga Ukraina. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se anija e madhe “Novocherkassk” u godit nga një sulm ajror ukrainas.
Sipas guvernatorit të Krimesë, Sergei Aksyonov, të vendosur nga Rusia, një person humbi jetën si pasojë e sulmit.
Ai shtoi se gjashtë ndërtesa u dëmtuan dhe se një numër i vogël njerëzish duhej të dërgoheshin në qendrat e akomodimit të përkohshëm.
Më herët, kreu i Forcave Ajrore të Ukrainës tha se avionët e saj luftarakë kishin shkatërruar anijen.
Ngjarja ndodhi gjatë mbrëmjes të së hënës në portin e Feodosiya në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Krimea njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës, por është nën pushtimin rus pasi u kap dhe u aneksua në vitin 2014.


