Qeveria Shqiptare është duke pritur autorizimin nga Presidenti i Republikës për të vijuar procesin me Greqinë për çështjen e detit.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në konferencën për shtyp me gazetarët.
“Angazhimi është maksimal por dhe qëndrimet janë të qarta, Greqia është fqinj i rëndësishëm i Shqipërisë, vend anëtar i BE dhe është një fqinj me kontribute dhe merita të veçanta.
Për këtë, ne angazhimin e kemi të plotë, maksimal, si në raport me Athinën zyrtare dhe në raport me Brukselin. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin e Republikës. Pres nga ai nëse ka më shumë nevojë për më shumë informacion. Di që ka patur komunikim shkresor disa muaj më parë.
I kam shprehur gatishmërinë që ne ta ushqejmë me më shumë informacion apo ide lidhur me vendimin që duhet të marri për të na fuqizuar me dhënien e mandatit për të filluar qartazi një negociatë”, u shpreh ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Si Shqipëria ashtu dhe Greqia kanë deklaruar se çështjen e detit mes tyre do ta zgjidhin në Gjykatën e Hagës.
Ai tha se Kosova nuk do të ketë kurrë një aleat më të fortë se sa Shqipëria.
“Marrëdhëniet tona janë të ngushta. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Gërvallën. Një gjë është e sigurt se Kosova nuk do të ketë aleat më të fuqishëm dhe më të mirë se Shqipëria dhe SHBA. Sovraniteti territorial i Kosovës ruhet nga NATO. Ne mbajmë njërit-tjetrin të informuar dhe për situatën rajon.”, tha Hasani. Ndërkohë ai u pyet nga gazetarët për përplasjet me opozitën.
“Dialogu konstant mes palëve krijohet kur të dyja palët kanë dëshirë për dialog dhe jo për fishekzjarrë. Të plotësojmë angazhimet pa asnjë dyshim dhe pa bllokuar prespektivën europiane.”, pohoi ai.
Mes të tjerash kryediplomati shqiptar u ndal dhe te raporti i Shqipërisë me Turqinë, ndërsa shtoi se në janar të vitit që vjen në Tiranë do të vijë për vizitë zyrtare ministri i jashtëm turk.
“Marrëdhëniet me qeverinë turke janë një histori suksesi. Për këtë ne mburremi se kemi arritur një nivel të tillë bashkëpunimi. Në fund të muajit janar ministri i Jashtëm turk do të vizitojë Tiranën.”, përfundoi ai.


