Nënkryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi u shpreh sot në një konferencë shtypi, ku denoncoi ndërtimet në zonën e mbrojtur të Pogradecit, se po punohet për një proces bashkimi jo vetëm brenda PD, por edhe në pjesën e partive të opozitës.
I pyetur nga mediet e pranishme në lidhje me situatën në kampin opozitar, Boçi theksoi se aktet e bashkimit do të zbardhen dhe do të bëhen të ditura në ditët në vijim.
“Ky bashkim është konkret, fillimisht brenda nesh dhe më pas edhe për të ftuar të gjitha partitë opozitare me të cilët përfaqësuesit e PD-së janë bisedime intensive”, tha ai.
Thirrja për bashkim sipas tij, shkon për të gjithë demokratët edhe për ata deputetë që sot janë te pjesa e Bashës.
“Basha është deputet dhe në momentin që do të fillojë të bëjë opozitë, dhe do e dëshmojë këtë me aksion opozitar, me bashkim me PD, ai gjithmonë është i ftuar. Ne momentet që vazhdon të jetë patericë e qeverisë, duke i shërbyer totalisht asaj me qëndrime dhe propozime ligjore, siç është ligji për shpifjen nuk besoj se ka dëshirë të jetë pjesë e frontit opozitar. Ftesa është e hapur për çdo demokrat dhe deputet që t’i bashkohet PD-së në aksionin opozitar”, tha Boçi
Sipas tij, “PD-ja vazhdon punën e saj politike, të shtrirë në të gjitha përmasat që ekziston, organizative, aksionit, komunikimit politik me qytetarët, denoncimet dhe kryetari i PD është në punë të plotë duke na dhënë orientimet përkatëse dhe ne duke vazhduar atë punë politike që ai tashmë e ka deleguar si përgjegjësi tek ne”.


