Sekretari për Programin në Partinë Demokratike, Arbi Agalliu u shpreh sot në një deklaratë për mediet se nga 1 janari janë 262 profesione të lira, ku mijëra e mijëra shqiptarë punojnë për të mbajtur familjet e tyre, të cilët do të paguajnë më shumë detyrime në buxhetin e shtetit.
Agalliu vuri në dukje se nga 1 janari ka nisur të zbatohet tatimi progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
“Këta të vetëpunësuar përbëjnë shumicën e shtresës së mesme të shoqërisë sonë. Është pikërisht kjo fashë qytetarësh që bën dhe qarkullimin e parasë. Është pikërisht kjo shtresë e cila konsumon dhe investon në tregjet shqiptare. Është pikërisht kjo shtresë që shtyn përpara ekonominë shqiptare, gjeneron vende pune, dhe qarkullon kapitalin”, vuri në dukje ai.
Por, tha Agalliu, në vend që qeveria t’i ulë barrën fiskale duke i dhënë frymëmarrje po ndodh e kundërta.
“Rritja e detyrimeve fiskale apo vendosja e taksave të reja e mbyt edhe më shumë këtë shtresë të rëndësishme të shoqërisë sonë. Rritja e barrës fiskale, e sidomos tatimi progresiv në vende me ekonomi të brishtë si Shqipëria, do të rrisë informalitetin, për të mos thënë që rritja e barrës fiskale e shtyn biznesin në faliment”


