Në një takim me përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë, Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë prioritetin e qeverisë së tij për dixhitalizimin e shërbimeve financiare.
Në tryezën e diskutimit në “Shtëpinë e Biznesit” te Piramida, Rama vlerësoi se bankat në Shqipëri duhet të kalojnë në një tjetër nivel, dhe një nga këto aspekte të dixhitalizimit financiar është edhe heqja nga qarkullimi sa më shumë e parasë cash.
“Besoj që është koha për t’u kuptuar mirë së bashku që ne nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar, nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës se si është i ndërtuar dhe funksionon sistemi ynë financiar dhe mënyrës si është ndërtuar sistemi financiar i ekonomisë familjare dhe nuk mund të jemi një vend që vazhdon me një volum cashi të papranueshëm në qarkullim, duke pasur ndërkohë një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë, nuk mund të jemi një vend që kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugët tradicionale të inspektimeve fizike dhe të gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pasuksesshme dhe nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna tek shpejtësia dhe tek eficenca e transaksioneve që për ta thënë me një fjalë të vetme edhe pagesat direkte janë në të shumtën e radhës me metoda tradicionale”.
Kryeministri Edi Rama theksoi se janë 3 drejtime ku Shqipëria duhet të jetë kampione në Europë, dhe ato janë turizmi, energjia dhe inovacioni. Tek kjo e fundit, Rama iu la afat bankave që brenda këtij viti duhen parë rezultate konkrete dhe domethënëse në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve financiare.
“Shqipëria duhet të fokusohet dhe qeveria është shumë e fokusuar tek inovacioni. Faktikisht ne jemi në situatën kur ligji jo unë, ligji, e ka të shkruar që në janar të këtij viti duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë aplikimi i protokolleve të open banking. Dhe janari ishte një afat i përsëritur, nuk ishte afati i vënë për herë të parë. Më kujtohet kur kemi bërë së bashku me Delinën bisedën me bankat për sigurinë kibernetike, kur kemi folur për domosdoshmërinë e marrjes seriozisht të kërcënimit kibernetik dhe u desh të ndodhte që pastaj të viheshin në lëvizje. Kemi një sistem bankar që ka të gjitha virtytet pozitive të një sistemi tradicional, tani ne nuk jemi më në listën gri dhe kemi të gjitha arsyet të kërkojmë me zë të lartë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide që është sfida e Shqipërisë, është një sfidë shumë e fortë e Shqipërisë dhe Shqipëria 3 drejtime ka ku mund dhe duhet të shkëlqejë në Europë; turizmin, energjinë dhe inovacionin. Këto janë 3 drejtimet ku mund të rrisim ekonominë, të krijojmë shumë më tepër hapësirë për bizneset dhe familjet. Sot jemi në një epokë progresi eksponencial, një vend mund të bëjë një kapërcim 100 vjet brenda 6 muajve. Bankat janë aty për të hapur dyert e zhvllimit, teknologjisë, për të hapur dyert për Shqipërinë që të shkojë shumë më shpejt përpara duke u kthyer nga një vend që ka përdorimin më të lartë të cashit në një vend pa cash. Dhe kjo është plotësisht e mundur. E di që tek hyrja në treg e aktorëve të rinj që vijnë me zgjidhjet dixhitale, ka dhe sfida, ka edhe një prishje të rehatisë së bankave, por kjo është diçka e paevitueshme dhe mendoj që është koha që të merremi vesh shumë qartë për këtë. Ne nuk mund ta pranojmë më këtë situatë. Teknologjia na bën që çdo ditë që humbasim na lë mbrapa, na la shumë mbrapa.
Operatori kryesor i Fintech këtu në këtë sektor operon me bankat jashtë. Pse? Se nuk ka mundësi të ketë të njëjtin akses këtu brenda. Kemi luksin t’i trajtojmë këto forca të reja që burojnë nga talenti sikur janë jetim në atdheun e tyre përballë bankave që i kanë dyert si ato nëpër filma ku s’ka Perëndi që hap derën për të futur një inovacion. Bankat nuk janë këtu kështjella të krijuara nga asgjëja. Pjesa dërrmuese e bankave janë pjesë e ekselencës bankare europiane. Nuk flasim për struktura që nuk kanë dijeni të brendshme. Këtu flasim për struktura që në vende të tjera dhe në vendin nga i kanë rrënjët bëjnë çudira në aspektin e këtyre gjërave që po flas, në aspektin e diversifikimit të instrumenteve të sistemit financiar, inovacionit. Pse në Shqipëri nuk ndodh kjo gjë”?
Kryeministri e vlerëson prioritet të qeverisë kombëtar dhe strategjik dixhitalizimin e shërbimeve bankare dhe u shpreh se Banka e Shqipërisë duhet ta udhëheqë këtë proces dhe nuk do të pranohet asnjë justifikim nga bankat e nivelit të dytë.
“Kjo është çështje e prioritetit kombëtar të qeverisë dhe prioritet strategjik i Shqipërisë dhe duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, duam të shikojmë ndryshim të thellë, duam të shikojmë ndryshim real dhe duam të shikojmë jo pas disa vitesh, por duam të shikojmë këtë vit pensionistët që marrin pensionet përmes sistemeve të reja, duam të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, duam të shkojmë rënie reale të cashit në qarkullim dhe rritje reale të të ardhurave për vendin dhe këtë gjë ne duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe. Në të gjitha rastet ne këtë gjë do ta bëjmë se s’bën. I kërkoj Bankës së Shqipërisë që ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë se dhe BSH duhet të bëjë pjesën e vetë, dhe të gjitha justifikimet, arsyetimet që vijnë nga prishja e zonës së komfortit ne nuk do t’i pranojmë. Çdo gjë që e bën një vend tjetër s’ka pse nuk e bën Shqipëria. Madje Shqipëria duhet të jetë e gatshme të bëjë edhe gjëra që vende të tjera nuk i kanë bërë. Banka e Shqipërisë duhet të ketë një mekanizëm supervizimi”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gento Sejko së bashku me kryeministrin Edi Rama kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech, mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare. Gjatë fjalës së tij, Sejko është shprehur se Open Banking është një detyrim ligjor që duhet bërë deri në Qershor.
Gent Sejko: Kryeministri vuri theksin në çështjen që ne jemi mbledhur sot tek pika më delikate, përtej rëndësisë që ka inovacioni. Për të thënë konkretisht, ka një ligj dhe është për t’u zbatuar, në funksion të këtij ligji ne kemi ndërtuar ligjin për shërbimin e pagesave që është miratuar në vitin 2020. Ne kemi ndërtuar regulloret e caktuara. Gjatë kësaj periudhe është bërë ligji, aktet dhe janë dhënë licencat. Momenti praktik ka të bëjë me përkthimin e kësaj gjëje në biznes konkret. Ajo që ka mbetur është pjesa e Open Banking. Ne kemi një Komitet Kombëtar të Pagesave që është mbledhur në mënyrë frekuente. Pastaj Open Banking me afate është elaburuar dhe deri në Qershor duhet bërë, nga 2-3 banka, kjo nuk ka diskutim se është detyrim ligjor. Duhet prishur rehati për t’u bërë kjo gjë.
Gjatë fjalës së tij, Sejko ka deklaruar se sistemi i pagesave me celular duhet bërë maksimumi brenda 3 vitesh dhe kjo ka thënë se është objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë.
Gent Sejko: Ne kemi bërë një zhvillim të brendshëm tonin, sistemin e shlyerjes së pagesave në Euro me sistemin e Bankës së Shqipërisë dhe kjo kursen miliona Euro, 14 mln Euro ishte kursim viti i parë. Po punojmë nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Pagesave. Ne kemi dalë nga lista gri dhe jemi pranuar në sistemin SEPA. Nuk ka asnjë pengesë për implementin e një sistemi InstaPayment për 2 vjet. Implementimi i këtij sistemi, i unifikuar për të gjithë dhe do të ishte hap shumë i madh për shërbimet e pagesave të modernizuara. Pagesat do të kryeheshin me celular dhe do të ishin pjesë e rrjetit europian. Ky është objektivi jonë kryesor si Bankë Shqipërie dhe dua ta realizojmë në një periudhë maksimumi 3 vite, minimumi 1 vit e gjysmë.
Një gamë e gjerë shërbimesh tashmë vjen në formë të digjiitalizuar. Sot në takimin me përfaqësues të biznesit dhe sistemit bankar, kreu i qeverisë Edi Rama vuri theksin te implementimi i inovacionit në 3 sektorë kryesorë të ekonomisë vendase.
Edhe ministri i Financave Ervin Mete u shpreh se përdorimi i teknologjisë tek bankat është një pikë kyçe për thellimin e tregut. Në këtë mënyrë çdo transaksion ekonomik nuk do të kryhet më me cash.
“Ky nuk është një sektor, apo një qasje, digjitalizimi në vetvete nuk është një objektiv i yni, është objektiv ndërsektorial i të gjithë rregullatorëve europianë e në botë. Ne kemi aplikuar disa zgjidhje inovative, i shërbenin gjerësisht qytetarëve, aplikimi i një platforme që ndërlidhte sistemin tonë të blerjes së titujve me një nga 3 platformat kryesore në Europë dhe që u bë në bashkëpunim me një bankë këtu. Me një bankë tjetër autorizuam një platformë për tregtimin online të titujve të qeverisë. Mundësuam që fondet e licensuara në BE të investimeve të tregtohen në Shqipëri me një njohje license. Ka modele se si inovacioni i shërben sektorit dhe më gjerë pastaj ekonomisë dhe thellimit të tregut. Mendoj se do duhet të kemi qasje të strukturuar për të pasur një strategji në këtë drejtim, ku theksohet përfshirja financiare. Edhe edukimi financiar që nëse bëhet siç duhet është komponent i rëndësishëm i përfshirjes nëpërmjet përdorimit të Fintech”, u shpreh ministri.


