Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se kategoria sociale më e diskriminuar e shoqërisë mbeten pensionistët, të cilët me një masë të ulët të pensionit përballojnë një kosto të lartë të jetesës.
Meta u shpreh se “pensionistët dhe grupet në nevojë janë varfëruar më shumë si për shkak të mosrritjes së duhur të pensioneve dhe të përfitimeve sociale, të rritjes së çmimeve dhe kujdesit të munguar shëndetësor.
Sipas Metës, rritja e pensioneve është shumë herë më e lartë në periudhën 2005-2013 krahasuar me periudhën 2013-2023.
Meta u shpreh se Qeveria do të duhet të konsideronte në rritjen e pensionit gjithashtu dhe rritjen ekonomike në periudhën 2013-2023 në masën 35.5%.
“Në total indeksimi dhe rritja reale e pensioneve do të duhej të ishte në 75.5% në fund të vitit 2023 krahasuar me fundvitin 2013”, u shpreh ai.
Në këtë drejtim, Meta bëri të ditur se Partia e Lirisë propozon indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimore.
“Po ashtu, propozojmë indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve; rritjen e pensioneve me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.
Meta u shpreh se duhet të konsiderohet një prioritet rritja e të ardhurave të pensionit për kategoritë të cilat jetojnë në kushtet e varfërisë nën 6.85 dollarë në ditë.
“Duhet të përfundojë strategjia e reformës së pensioneve përfshi implementimin e shtyllës së dytë të pensioneve me qëllim të rritjes së masës së pensioneve”, shtoi ai.
Meta theksoi se Partia e Lirisë do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një përfitim në përputhje me masën e kontributit të atyre punonjësve të cilët kanë kontribuar në skemën e pensioneve në më pak se 15 vite.
“Do të propozoj një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimore. Do t’i propozoj Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mosindeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës. Do t’i propozoj Gjykatës Kushtetuese mbas këtij gjykimi rimbursimin e plotë të pensionistëve të rritjes së munguar ndër vite në periudhën 2013-2023”, u shpreh ai.


