Kosova sot feston 16-vjetorin e Pavarësisë, të shpallur në 17 shkurtin historik të 2008-ës.
Kjo datë historike erdhi pasi Kosova fitoi lirinë në 12 qershor 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s e të vendoset Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara.
Pas luftës me më se 12 mijë të vrarë, 6 mijë të zhdukur e afër një milion shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe në fushatën e egër të spastrimit etnik, gjatë së cilës ua kishin vënë flakën më se 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive qytetarët e Kosovës kremtojnë sot 16-vjetorin e Pavarësisë.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet.
17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë.
Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kosta-Rika.
Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.
Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë së Mbikëqyrur Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë të re të perspektivës euroatlantike.


