Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori, Silvio Gonzato u shpreh sot se BE ka disbursuar 115 milionë euro mbështetje buxhetore për Shqipërinë në vitin 2023, ndërsa siguroi se Plani i ri i Rritjes do të përfshijë financime të tjera.
Gjatë prezantimit të Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike, Gonzato nënvizoi rëndësinë e këtij dokumenti, ku përcaktohet mënyra si arrihen burimet financiare, por edhe si do të shpenzohen fondet.
Ambasadori nënvizoi se menaxhimi i financave publike është në thelb të procesit të integrimit europian, sepse kjo lloj strategjie prek shumë kapituj.
“Kjo në vetvete tregon se sa të rëndësishme janë reformat e menaxhimit të fondeve publike për qeverisjen e mirë në vend, por edhe për funksionimin e demokracisë. Kjo pasqyrohet edhe tek fakti që udhërrëfyesit për reformën e administratës publike,
sistemet e menaxhimit të financave publike, janë thelbësore për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe që pasqyrohen tek kriteret ekonomike që monitorohen si pjesë e procesit. Shqipëria ka ecur mirë sa i takon performancës së saj makrofiskale”, tha Gonzato.
Sipas tij, BE ka ofruar mbështetjen e vetë shumë të rëndësishme financiare dhe një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj mbështetje janë për sistemet e menaxhimit të fondeve publike.
“Vitin e shkuar në mbështetjen buxhetore ne kemi disbursuar 115 milionë euro. Tashmë jemi në fazat përfundimtare të negociatave për instrumentin e ri të rritjes që do të përfshijë edhe financime të mëtejshme”, shtoi ai.
Ndaj sipas tij, “menaxhimi i financave publike bëhet akoma edhe më i rëndësishëm”.
“Shqipëria ka pasur ecuri, por reforma e menaxhimit të financave publike është një proces në vijimësi dhe prandaj ritheksoj se është pjesë e e axhendës së reformave të Planit të Rritjes. Ne kemi shprehur shqetësime për përdorimin ekskluziv të akteve normative për rishikimin e buxhetit. Kjo mund të jetë e justifikueshme në situata krizash, por ne jemi të mendimit se duhet të kthehemi të rishikimi i buxhetit me anën e procedurave. Është e rëndësishme edhe mbikëqyrja e parlamentit, edhe KLSH. Gjetjet e saj duhet të diskutohen dhe merren parasysh në Kuvend”, tha Gonzato.
Po ashtu ambasadori nënvizoi rëndësinë e forcimit të mbikëqyrjes dhe monitorimit në fusha ku ka risk fiskal.
“Të merren masa për zgjerimin e bazës tatimore duke luftuar informalitetin dhe duke përmirësuar administratën tatimore. Jemi shumë të inkurajuar nga rezultatet e procesit të fiskalizimit dhe kemi inkurajuar që në mënyrë zyrtare të miratoni strategjinë afatmesme të të ardhurave që sjell parashikueshmëri në politikën tatimore. BE do të vijojë mbështetjen dhe ne do të mbetemi krah jush për zbatimin e kësaj strategjie të rëndësishme”


