Fino: Shqipëria e rreshtuar në mbrojtje të integritetit të Ukrainës

Mos i humb

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot pr/ligjin për ratifikimin e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës.

Zv/ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino e pranishme në Komision për të prezantuar këtë pr/ligj u shpreh se, “marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe miqësore. Marrëdhënie, të cilat kanë filluar të zhvillohen cilësisht dhe të intensifikohen veçanërisht pas agresionit rus të vitit 2014, me pasojë aneksimin e Krimesë”.

“Këto marrëdhënie kulmuan me vizitën e presidentit Zelensky dhe bashkorganizimin me kryeministrin Rama të Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore në Tiranë në fund të shkurtit të këtij viti”, tha Fino.

“Të dyja vendet si vende kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe Shqipëria mbështet aspiratën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, kur kushtet ta lejojnë”, u shpreh Fino.

“Firmosja e këtij traktati gjatë kësaj vizite konfirmoi më së miri këtë nivel marrëdhëniesh si dhe mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës”, theksoi Fino.

“Shqipëria është rreshtuar me partnerët e saj euroatlantikë në mbrojtje të integritetit të Ukrainës dhe respektimit të normave themelore ndërkombëtare dhe vlerave  demokratike e humane dhe ka mbështetur pa rezerva Formulën e Paqes, plani me 10 pika të presidentit Zelensky si rrugëdalje e vetme e këtij konflikti. Dhe më konkretisht është zotuar të jetë pjesë e pikës 5 të këtij plani, e cila i dedikohet integritetit territorial në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Formula e Paqes do të jetë tema qendrore e Samitit të thirrur nga Zvicra dhe Ukraina dhe do të mbahet po në Zvicër në qershor të këtij viti dhe në Samit Shqipëria do të përfaqësohet në nivelin më të lartë shtetërorë të saj”, tha Fino.

Ky traktat, nënvizoi Fino, “shpreh vullnetin më të lartë politik dhe shërben si një bazament, një themel dhe garanci për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh në të gjithë sektorët me interes reciprok. Të dyja palët janë të një mendje se potenciali i shkëmbimeve është i konsiderueshëm dhe është i nevojshëm konsolidimi e gjetja e rrugëve për shfrytëzimin e tij”.

“Traktati vë themelet politik për një partneritet afatgjatë, konstruktiv dhe të mbështetur në vlera të përbashkëta humane dhe miqësie. Përmes tij palët konfirmojnë respektin reciprok dhe dëshirën për zbatimin e parimeve dhe normave demokratike që ndërtojnë vendet sovrane”, shtoi Fino.

“Traktati krijon kuadrin e nevojshëm për ngritjen e mekanizmave të përbashkët për dialog të ndërsjellët duke filluar si nga nivelet më të larta politike, ashtu dhe në nivelet më të ulëta teknike”, u shpreh Fino.

“Palët zotohen se do të krijojnë kushtet e favorshme në bashkëpunim ekonomik me interes të ndërsjellët dhe se do të mbështeten tek njëra-tjetra në sistemin shumëpalësh ekonomik botëror, do të nxisin investimet dhe do të bashkëpunojnë në fusha thelbësore, si energjia, bujqësia, telekomunikacioni, minierat, transporti, ndërtimi, përpunimi i ushqimit, industria farmaceutike, mjedisi apo shërbimet profesionale”, theksoi Fino.

“Zotohen gjithashtu për t’i dhënë përparësi shkëmbimeve të ndërsjella kulturore, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë në art dhe kulturë. Prioritet në traktat i jepet gjithashtu bashkëpunimit në ruajtjen e forcimit të shtetit të së drejtës si dhe atij ushtarak”, nënvizoi më tej Fino.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit