Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) arrestoi sot punonjësin e Policisë të shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg” i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi i tij u krye në vijim të ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj 8 punonjësve të policisë, efektivë në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur sot arrestimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për inspektorin B. T., 39 vjeç. Kjo masë sigurie u vendos ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur si rezultat i hetimeve disamujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, nëpërmjet të cilave u siguruan prova dhe fakte për implikimin e tyre në veprimtari kriminale.


