Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrëvënies në pyjet e fshatit Frashtan.
Policia e Gjirokastrës njofton se ka arrestuar shtetasin M. K., 39 vjeç, banues në fshatin Frashtan, Dropull, pasi dyshohet se është autori i zjarrit që ka rënë në zonën pyjore të fshatit Frashtan.
Në njoftimin e saj, forcat e rendit bëjnë të ditur se prej mesditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët. Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Policia Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.


