Fredi Beleri ka lënë sot ambientet e burgut të Fierit ku vuan dënimin me 2 vite heqje lirie pasi mori leje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për t’u betuar si eurodeputet.
“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i emocionuar, i lumtur, për pjesën tjetër do flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka”, tha Beleri në një prononcim për mediet greke pas daljes nga ambientet e burgut.
Beleri do të udhëtojë nga Athina drejt Strasburgut së bashku me eurodeputetët e tjerë ku më 16 korrik do të bëjnë betimin.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka miratuar një leje 5-ditore për të lejuar dhe në orën 16:00 të datës 20 korri, Beleri duhet të rikthehet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.
“Pas kërkesës së të dënuarit Dhionisis (Alfred) Beleri për leje shpërblyese në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamentin Europian nga datat 15-19 korrik 2024 në Strasburg, në bazë të ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve”, Drejtoria e IEVP Fier me miratim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas plotësimit dhe verifikimit të dokumentacionit sipas ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi i ka miratuar dhënien e lejes shpërblyese të burgosurit Dhionisis (Alfred) Beleri nga data 15.07.2024- 20.07.2024”, thuhet në deklaratën për shtyp të DPB.
Në përfundim të lejes, thuhet më tej, i dënuari Alfres Beleri do të kthehet në IEVP Fier për të vazhduar kryerjen e dënimit me dy vite burg për shit/blerje të votave sipas vendimit penal të formës së prerë të GJKKO.


