Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, “shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre për shndërrimin e shoqërisë së vet, në një shoqëri moderne, evropiane në thelb dhe në sjellje, euroatlantike në orientim dhe të drejtë në çdo aspekt”.
Në fjalën e saj në seancën e përbashkët plenare mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës që po mbahet në Prishtinë, Spiropali u shpreh se, “unë jam me origjinë nga bregu i Labërisë së Shqipërisë, kam lindur në Tiranë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina dhe Prizreni. E po kështu secili nga ne është njëkohësisht nga Durrësi e Gjakova, nga Drenica e Shkodra, nga Korça e Peja, sepse jemi një gjak e një gjuhë, një histori e një kulturë”.
“Emocion i thellë dhe kënaqësi e pafund sot në këtë mbledhje të përbashkët mes dy Kuvendeve tona. Por ka një problem ne që po takohemi jemi pak, duhet të ishim më tepër, duhet të ishim me mijëra, me qindra mijëra, e prapë pak janë. Duhet të takohemi të gjithë aq sa jemi, aq sa shqiptarë ka bota, me miliona. Aq shqiptarë sa ka bota nuk prishin punë, përkundrazi, nuk prish punë se s’na nxë kjo sallë, ka salla të tjera që na nxënë, janë fushat, pllajat, luginat, ku mund të takohemi, të çmallemi dhe të mirëkuptohemi me njëri-tjetrin. Përmetari ta takojë dhe ta përqafojë prishtinaliun, gjakovari labin, pejanin, mitrovicaliu vlonjatin, e kështu me radhë, derisa toka të dridhet nën këmbët tona, deri sa Zoti të habitet, deri sa Adem Jashari të lëvizë në varr, deri sa bota ta mësojë cilët jemi e çfarë mundemi të bëjmë kur jemi bashkë”, tha Spiropali.
“Halli është se për të arritur deri tek supertakimi, për të realizuar hiperbashkimin duket herët, duhet të presim. Kur s’ke pulën duhet të hash shpend tjetër thotë populli, po doni ju që edhe ky shpend qenka fort i shijshëm në këtë takim”, u shpreh Spiropali.
“Jo rrallë Ballkani ka qenë truall i ankesës dhe popujt e Ballkanit e kanë traditë të hershme që t’i projektojnë dramat dhe pakënaqësitë diku gjetkë si për të gjetur ngushëllim për brengat që historia ka prodhuar pa fund në këtë pjesë të Evropës”, theksoi ajo.
“Ne shqiptarët nuk bëjmë dallim, por askush nuk mund ta mohojë se në këtë moment historik ku kemi mbërritur si kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre për shndërrimin e shoqërisë së vetë, në një shoqëri moderne, evropiane në thelb dhe në sjellje, euroatlantike në orientim dhe të drejtë në çdo aspekt”, theksoi më tej kryetarja e Kuvendit.


