Betohen në Presidencë Rama dhe ministrat e rinj, nis mbledhja e qeverisë

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të ri qeveritar betohen sot, 19 shtator, para Presidentit Bajram Begaj.

Ceremonia në Presidencë nisi në orën 10:00 dhe zgjati rreth 20 minuta, ku u lexua edhe dekreti i Këshillit të Ministrave.

Siç e do tradita, Rama dhe ministrat ecën në këmbë drejt Kryeministrisë dhe realizuan foton e përbashkët, para mbledhjes së parë të qeverisë, me dyer të mbyllura.

Ende nuk dihet a do të ketë një komunikim për mediat me përfundimin e mbledhjes.

Për herë të katërt radhazi në krye të qeverisë, Rama u mandatua më 12 shtator…

Përbërja e qeverisë së re

Belinda Balluku – Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës

Albana Koçiu – Ministre e Punëve të Brendshme

Elisa Spiropali – Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme

Petrit Malaj – Ministër i Financave

Blendi Gonxhja – Ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sportit

Sofjan Jaupaj – Ministër i Mjedisit

Mirela Kumbaro – Ministre e Arsimit

Evis Sala – Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Delina Ibrahimaj – Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit

Diella – Anëtare jo fizike e krijuar nga Inteligjenca Artificiale (Prokurime Publike)

Besfort Lamallari – Ministër i Drejtësisë

Pirro Vengu – Ministër i Mbrojtjes

Andis Salla – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ervin Demo – Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor

Majlinda Dhuka – Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore

Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për Antikorrupsion

Toni Gogu – Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

Kujtojmë se seanca e djeshme në Kuvend, 18 shtator, që do të shënonte çeljen e kësaj legjislature zgjati shumë pak dhe u shoqërua me debate e përplasje mes palëve, për shkak të fjalimit që mbajti ministrja virtuale, Diella.

Qeveria e re mori 82 vota mes zhurmës e kundërshtive nga opozita, ndërsa Rama i paralajmëroi se në rast se nuk respektojnë etikën në Parlament, prania e mazhorancës në çdo seancë do të zgjasë aq sa për të kaluar direkt në votim.

Në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 deputetë, Partia Demokratike me 50. Partia Socialdemokrate do të ketë tre mandate, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.

Kuvendi do të drejtohet nga Niko Peleshi, ndërsa janë emëruar plot 17 ministra dhe ministre, një prej të cilave është Diella, e cila do ketë në dorë Prokurimet Publike. Ajo është gjithashtu ministrja e parë virtuale në botë, detaj që ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

Kryefjala e programit qeverisës, siç e ka theksuar herë pas here kryeministri, është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2027.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit