Deputetët e Kuvendit mbajtën sot në nisje të seancës plenare një minutë heshtje në nder të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, i cili u vra tre ditë më parë në sallën e gjyqit.
Kryetari i Kuvendit , Niko Peleshi ftoi deputetët të ndalen një minutë për të nderuar kujtimin e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht të hënën në ambientet e Gjykatës së Apelit.
“Vrasja e një gjyqtari të Republikës së Shqipërisë u dënua nga gjithë spektri politik dhe mbarë opinioni publik në vendin tonë”, tha Peleshi.
“Gjyqtari Kalaja i shërbeu sistemit të drejtësisë me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet duke lënë pas një shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë në detyrë. Në shenjë respekti për jetën dhe kontributin e tij ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje”, tha Peleshi.
Minuta e heshtjes erdhi pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në Konferencën e Kryetarëve.
Balla depozitoi sipas rregullores kërkesën për minutën e heshtjes në nisje të seancës së sotme plenare të Kuvendit. Ndërsa deputetët e opozitës thanë se minuta e heshtjes është shumë pak.
Opozita kërkoi nisjen e procedurave nga institucionet shtetërore për të shpallur Dëshmor të Atdheut, gjyqtarin Astrit Kalaja.
Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit më 6 tetor. Autori i ngjarjes, palë e dëmtuar në proces, u arrestua. Policia vuri në pranga edhe xhaxhain e tij si bashkëpunëtor, si dhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit për shpërdorim detyre.