Të paktën 24 persona kanë humbur jetën në Meksikë pas stuhive të forta që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu në disa pjesë të vendit, sipas raporteve zyrtare të publikuara mbrëmë.
Rajone të tëra janë nën ujë, ndërsa në lindje dhe qendër të vendit rreth 6 000 shtëpi janë dëmtuar nga përmbytjet.
Në shtetin lindor të Veracruz-it, ku dy persona humbën jetën, lumi “Cazones” doli nga shtrati dhe përmbyti qytetin Poza Rica, me rreth 190 000 banorë.
Sipas guvernatores Rocío Nahle, rreth 35% e popullsisë lokale është prekur nga përmbytjet. Mijëra persona u strehuan në qendra emergjente. Edhe qyteti më i vogël Alamo u përmbyt plotësisht.
Në shtetin qendror të Hidalgo-s, 16 persona kanë vdekur, sipas autoriteteve lokale, shumica e tyre nga rrëshqitjet e dheut.
Sipas mediave që citojnë autoritetet, në shtetin e Puebla-s, janë njoftuar të paktën pesë viktima dhe 11 persona të zhdukur.
Meksika ndodhet në fundin e sezonit të reshjeve, i cili zgjat rreth gjashtë muaj dhe përfundon në fillim të nëntorit.
Sipas meteorologëve, reshjet e dendura të ditëve të fundit janë pjesërisht pasojë e cikloneve tropikale “Priscilla” dhe “Raymond” në Oqeanin Paqësor, si edhe e fenomeneve atmosferike në Gjirin e Meksikës. Parashikohet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.