Sipas burimeve të sigurta, rasti ka ndodhur më 7 tetor 2025, rreth orës 22:00, në fshatin Bresalc, ku E. I., rreth 37-vjeçar ishte rrëmbyer nga disa persona dhe ishte dërguar në një vilë në atë zonë, ku i ishte shkaktuar dhunë fizike.

Viktima kishte arritur të largohej në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe më pas e kishte paraqitur rastin në Policinë e Kosovës, e cila kishte nisur menjëherë hetimet.

Pas disa ditësh pune operative, më 10 tetor 2025, rreth orës 21:45, në rrugën e Kumanovës, njësiti i Task Forcës ka ndaluar njërin nga të dyshuarit, Shemsedin Kasumi, rreth 43-vjeçar, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë në rrëmbim bashkë me dy persona të tjerë që ende janë në arrati.

I dyshuari është shoqëruar në polici dhe gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës ka refuzuar të bashkëpunoj me hetuesit.

Me urdhër të Prokurores së Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan ka marrë në dorë zhvillimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.