Celibashi: Aplikojmë Inteligjencën Artificiale në zgjedhjet e 9 nëntorit

Mos i humb

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi bëri të ditur sot se në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të aplikohet për herë të parë përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin zgjedhor në Shqipëri.

Gjatë konferencës me temë: “Mbikëqyrja e Digjitalizimit në Proceset Zgjedhore: Drejt Konvergjencës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, Celibashi deklaroi se ky projekt do shërbejë si test, dhe nuk do të zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor.

“Kemi filluar në versionin eksperimental përdorimin e Inteligjencës Artificiale për kërkimin dhe marrjen e informacioneve zgjedhore nëpërmjet faqes së internetit të KQZ  si dhe për të ofruar asistencë dhe krijuar facilitet për administratën zgjedhore, por edhe për subjekte të tjera të përfshira në procesin zgjedhor, mundësi për ta marrë dhe përpunuar këtë informacion, apo aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.

“Në 9 nëntor të këtij viti do mbahen zgjedhjet e pjesshme. Stafi i KQZ po punon për të aplikuar për herë të parë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do shërbejë si test dhe për momentin nuk do zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor”, deklaroi Celibashi.

Sipas Celibashit, “i gjithë ky proces digjitalizimi i mbështetur edhe nga financimet e donatorëve dhe partnerëve të ndryshëm ndërkombëtar, jo vetëm që ka rritur efikasitetin në administrimin e proceseve zgjedhore, por ka konsoliduar edhe reputacionin e KQZ-së si institucion transparent dhe i pavarur”.

Celibashi theksoi se “synojmë që në të ardhmen të aplikojmë sa më gjerësisht të jetë mundur teknologjinë e informacionit në procesin zgjedhor”.

Komisioneri shtoi gjithashtu se Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka aplikuar identifikimin dhe votimin elektronik në procesin zgjedhor dhe një nga të paktët që ka zbatuar në mënyrë të plotë identifikimin biometrik të zgjedhësve në 100% të QV-ve që prej vitit 2021.

“Në 4-5 vitet e fundit Shqipëria është përfshirë në një proces të thellë digjitalizmi të shumë aspekteve dhe fushave të ekonomisë, shërbimeve dhe të administratës publike. Krahasuar dhe me shumë vendet të BE-së Shqipëria ka shtrirë procesin e digjitalizimit edhe në proceset zgjedhore. Që prej vitit 2021 identifikimi biometrik është aplikuar në mënyrë të vazhdueshme në 100% të qendrave të votimit, ndërsa votimi elektronik është akoma në fazën pilot të zhvillimit”, tha Celibashi.

Celibashi përmendi gjithashtu zhvillimin e një sërë platformash digjitale nga KQZ-ja që nga viti 2022, përfshirë: mbikëqyrjen financiare të partive, regjistrimin e votuesve të diasporës, denoncimet dhe ankimimet zgjedhore, trajnimin online të administratës zgjedhore, dhe raportimin institucional gjatë fushatës zgjedhore e tjerë.

Në përfundim, Celibashi nënvizoi se KQZ mbetet e angazhuar për të çuar më tej procesin e digjitalizimit zgjedhor, në përputhje me standardet e BE-së dhe kërkesat e një demokracie funksionale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit