Ndryshimet drastike të motit janë kthyer në një problem global. Sipas Shërbimit Zviceran të Monitorimit të Akullnajave, akullnajat e Zvicrës janë shkrirë ndjeshëm gjatë 12 muajve të fundit, duke shënuar reduktimin e katërt më të madh të vëllimit të akullit të regjistruar ndonjëherë.
Një dimër me pak reshje bore, veçanërisht në pjesën verilindore të Alpeve Zvicerane, i ndjekur nga temperatura të larta në korrik dhe gusht, rezultoi në humbjen e 3% të masës totale të akullit të akullnajave.
“Këtë vit akullnajat kanë humbur 3% të vëllimit. Kjo është vërtet shumë. Megjithatë, nuk është si në vitet ekstreme të vitit 2022 dhe 2023, por përshpejtimi i shkrirjes së akullnajave është në rritje. Nëse shikojmë vetëm 10 vitet e fundit, kemi humbur një të katërtën e vëllimit të akullnajave zvicerane në 10 vjet. Kjo është vërtet shqetësuese”, tha Matthias Huss, Drejtori i Monitorimit të Akullnajave në Zvicër.
Akullnaja e Ronës, dikur më e madhja në Evropë, është tkurrur me shpejtësi, duke humbur mesatarisht rreth 1.5 metra trashësi këtë vit.
Sipas grupit monitorues, rreth 100 akullnaja në Zvicër janë zhdukur midis viteve 2016 dhe 2022, dhe parashikohet që shumica mund të zhduken deri në fund të shekullit.
“Është padyshim shqetësuese. Tërheqja e akullnajave ka një sërë ndikimesh, duke filluar nga rreziqet natyrore, te disponueshmëria e ujit dhe rritja globale e nivelit të detit. Dhe nëse akullnajat zhduken plotësisht, kjo ndryshon pamjen e Alpeve dhe ka shumë ndikime negative që janë shqetësuese për njerëzit që jetojnë në male, por edhe në të gjithë botën”, shtoi Huss.
Raporti zbuloi se akullnaja Silvretta në Zvicrën verilindore pati një shkrirje të madhe të akullit pas sasisë më të ulët të reshjeve të borës që nga fillimi i matjeve rreth 100 vjet më parë.
Sipas ekspertëve, tkurrja e akullnajave shkakton destabilizimin e maleve.