Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të zhvillojnë këtë të mërkurë, më 22 tetor, një samit të përbashkët me zyrtarët britanikë dhe evropianë për të diskutuar mbi çështjet e migracionit, sigurisë dhe rritjes ekonomike në një rajon të paqëndrueshëm, ku Rusia përpiqet të rrisë ndikimin e saj.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka publikuar disa fotografi ku shihet që sëbashku me kryeministrin shqiptar Edi rama dhe liderët e tjerë të rajonit janë pritur nga mbreti Charles III në Londër.
“Ky takim është një njohje dhe respekt, por edhe një nxitje për të vazhduar në rrugën e vlerave të përbashkëta, besimit dhe partneritetit. Në kuadër të Procesit të Berlinit të organizuar nga Kryeministri Keir Starmer, kam pasur disa takime që synojnë bashkëpunimin strategjik ekonomik dhe infrastrukturor me Mbretërinë e Bashkuar.”, vazhdon më tej ai.
Associated Press ka publikuar të tjera foto, në të cilat shihet edhe takimi i kryeministrit Edi Rama me mbretin Charles.
Delegacionet nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po marrin pjesë në një samit që zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, një nismë e nisur në vitin 2014 për të mbajtur vendet e Evropës Juglindore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që është anëtarësuar në BE është Kroacia, e cila u bë anëtare në vitin 2013. Progresi për vendet e tjera është ngadalësuar, me secilin shtet në faza të ndryshme të këtij procesi.
Qasja e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj është rritur që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Ekziston shqetësimi se lufta në Ukrainë dhe përplasja e thelluar mes Rusisë dhe Perëndimit mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon ende i plagosur nga konfliktet e veta të së kaluarës.
Qeveria laburiste e kryeministrit britanik Keir Starmer po shpreson të avancojë bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës, forcimin e mbrojtjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor nga ndërhyrjet ruse dhe një prioritet i veçantë për Britaninë, frenimin e migracionit të paligjshëm.
Washington Post shkruan se Britania synon të ndërtojë mbi përvojën e forcës së përbashkët punuese me Shqipërinë, e cila ka ndihmuar përmes një marrëveshjeje për kthimet dhe projekteve lokale në zonat nga ku vijnë emigrantët, që të ulë ndjeshëm numrin e emigrantëve shqiptarë, nga 12 mijë në vitin 2022 në rreth 600 në vitin 2024.
Gjithashtu, Britania ka dërguar zyrtarë të zbatimit të ligjit në rajon për të punuar me agjencinë evropiane të kufirit, Frontex, dhe po kërkon vende që janë të gatshme të presin “qendra kthimi”, ku mund të mbahen azilkërkuesit e refuzuar deri në dëbimin e tyre.
Megjithatë, liderët e Shqipërisë dhe Malit të Zi shprehën hezitim për të pasur qendra të tilla në territorin e tyre.
“Kur bëhet fjalë për këto qendra, apo si të quhen, e kam thënë dhe e përsëris, kurrë në Shqipëri,” u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama, të martën gjatë një fjalimi në institutin Chatham House në Londër.
Ndërsa kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, tha se vendi i tij “nuk është pjesë e rrugëve të emigrantëve nëpër Ballkan”, sepse infrastruktura hekurudhore nuk është e zhvilluar mjaftueshëm. Ai shtoi se mund të ishte i gatshëm të pranonte një qendër kthimi, nëse Britania do të investonte 10 miliardë euro për ndërtimin e hekurudhave.