Të paktën 11 banorë kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në një shtëpi komunale për të moshuar në qytetin verior boshnjak Tuzla, njoftoi sot portali boshnjak i lajmeve “klix.ba”, duke cituar kryebashkiakun e qytetit, Zijad Lugaviç.
Sipas njoftimeve, 35 persona të tjerë po trajtohen në spital, tre prej tyre në gjendje kritike.
Zjarri shpërtheu gjatë natës në katin e shtatë të ndërtesës nëntëkatëshe, për arsye ende të paqarta.
Mes të plagosurve rve ishin zjarrfikës, policë, punonjës shpëtimi dhe stafi i shtëpisë së pleqve
Shtëpia e pleqve në Tuzla është ndërtuar në vitet 1980 gjatë periudhës së Jugosllavisë socialiste. Ndërtesa e lartë, e projektuar në stilin arkitekturor të asaj kohe, është një nga simbolet e qytetit Tuzla, ish-qendër industriale në veriun e Bosnje e Hercegovinës.
Banorët e shtëpisë, të afërmit e tyre dhe disa politikanë në Tuzla kanë kritikuar për vite të tëra kushtet e papranueshme në këtë institucion.
Probleme si lagështia, ushqimi i dobët dhe trajtimi i ashpër nga stafi janë theksuar nga “klix.ba”, ndërsa kritikat janë përqendruar edhe tek vendosja e pacientëve me sëmundje të rënda në katet e sipërme.


